Itali, 27 gusht 2014 – Të martën, në 26 gusht, policia e qytetit të Lukës vuri në pranga tre hajdutë makinash, francezen Yvonnee Calo, 22 vjeçe, marokenin Ousemma El Gasemi, 22 vjeç, i dashuri i Ivonës dhe shqiptarin Aranit Baca, 21 vjeç, me precedentë penalë. Araniti, në 20 korrik 2014, kishte marrë një urdhër dëbimi nga italia, sepse ishte kapur duke vjedhur po në Luka.

Të tre hajdutët vidhnin me thyerje makinat e parkuara në parkingun publik të Lukës. Shumica e makinave të vjedhura u përkisnin turistëve të huaj. Araniti ose thyente xhamin e makinës ose u shpërthente bravën dhe më pas vidhte sendet me vlerë që gjente në automjet. Policia u kapi tre hajdutëve celularin e vjedhur një turisteje gjermane vetëm pak minuta para arrestit. Në çantën e hajdutëve policët gjetën edhe sende të tjera të vjedhura si një aparat fotografik, një lap-top, një tablet, një smartphone dhe pak para kesh.

Të tre hajdutët u dënuan me gjykim të shkurtuar, secili me 2 vjet burg dhe 400 euro gjobë për vjedhje me thyerje. Araniti u dënua edhe për shkelje të masës së dëbimit nga Italia si edhe për drejtim automjeti pa patentë.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/