Policia e Kavajës ka vënë sot në pranga kryebashkiakun Elvis Rroshi, pas vendimit të gjykatës që dha për të masën e sigurisë “arrest me burg”.
Mbi Rroshin rëndon akuza e falsifikimit të dokumenteve në katër raste. Sipas akuzës, kryebashkiaku Rroshi në formularin e vetëdeklarimit të dekriminalizimit nuk ka shënuar në 4 raste dënimet në Itali.
Prokuroria nisi hetimet kryesisht që më 1 Qershor, pasi dyshohej se Rroshi ka kryer veprën penale të falsifikimit të dokumenteve në procesin e plotësimit të formularit të vetëdeklarimit në kuadër të ligjit të dekriminalizimit.
Vetë Rroshi dha dorëheqjen pak kohë më parë, kur zbuloi se ai ishte dënuar në moshën 16-vjeçare në Itali për përdhunim në grup, ndërsa një gjë të tillë nuk e kishte deklaruar në formualarin e vetëdeklarimit, pasi sipas tij nuk ishte në dijeni për vendimin e marrë.
Por, ai theksoi se do të vazhdonte betejën ligjore dhe pak ditë pas dorëheqjes Rroshi shkoi në Itali dhe kur u kthye tha se kishte siguruar dy dëshmi të pastra penaliteti.





