Policia e Kavajës ka vënë në pranga Sajmir Kurtin, autorin e dyshuar të ngjarjes së sotme, ku u plagosën tre persona.

Arrestimi i 44 –vjeçarit u bë tek shëtitorja “Indrit Cara” pranë Bashkisë Kavajë.

Konflikti që degjeneroi në plagosje të trefishtë, mësohet se ka nisur për shkak të bllokimit të rrugës nga mjetet. Për sqarimin e këtij konflikti shtetasi Sajmir Kurti është takuar tek lokali i shtetasit Eqerem  Kazazi, me kërkesën e këtij të fundit. Kurti ka nisur të debatojë fillimisht me të e më pas edhe me djalin e tij. 

Debati ka kaluar në sharje e ofendime dhe më pas i dyshuari Sajmir Kurti ka nxjerrë një armë zjarri pistoletë duke ia drejtuar shtetasve të sipërcituar, ku debati ka vazhduar më pas në rrugë.Në vazhdim të konfliktit Sajmir Kurti ka qëlluar me armën e zjarrit ku predha e qitur, nga kontakti i saj me objekt të fortë (pllakë guri) është copëzuar, e për pasojë ka lënduar me dëmtime të lehta shtetasit Eqerem Kazazi, 48 vjeç, Irkid Kazazi, 21 vjeç (at e bir) si dhe shtetasin Dritan Xhixha, 46 vjeç, i ndodhur aty pranë. Shtetasit e mësipërm ndodhen jashtë rrezikut për jetën nën kujdesin e mjekëve.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një automjet i tipit “Range Rover”, në pronësi të shtetasit Sajmir Kurti. Një armë zjarri pistoletë i kalibrit 9 mm, me një krehër me 14 fishekë, një gëzhojë e kalibrit 9 mm

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë për veprat penale “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake e municioneve”, parashikuar nga Nenet 76, 22 dhe 278 të Kodit Penal.