EDMOND TUPJA 



6 gusht 2013 – Ja, tashmë të gjithë e morën vesh përbërjen e kabinetit të ri qeveritar, e shuan kureshtjen e tyre të parë. Por pritja e tyre vazhdon, tani ata presin të shohin se si do të funksionojë qeveria “Rama 1”, ç’rezultate do të sjellë puna e saj, sepse me këto rezultate, njerëzit, sidomos votuesit e majtë, do të matin mbajtjen, gjysmëmbajtjen apo mosmbajtjen e premtimeve të bëra nga e majta gjatë fushatës së saj zgjedhore. Sidoqoftë, kjo pritje, si të gjitha pritjet, ka një përbërës të pashmangshëm, shpresën: “populli i majtë” (shprehja është e vetë zotit Rama, por e huazuar nga fjalori politik francez i këtyre dekadave të fundit) shpreson që premtimet e Partisë Socialiste e të aleatëve të saj do të bëhen realitet mundësisht sa më shpejt, pavarësisht vështirësive objektive (si p.sh., kriza botërore) apo subjektive (si p.sh., pasojat e keqqeverisjes, shprehja është po e zotit Rama, kur e djathta ishte në pushtet). 



Por, nga ana tjetër, kjo pritje, si çdo pritje, ka edhe një përbërës tjetër të pashmangshëm, durimin: “popullit të majtë” (por edhe atij të djathtë), të cilit, në kohën e diktaturës super të majtë iu vu në provë – më shumë e më egër sesa nevojitej – durimi (p.sh., vrasjet, burgimet, internimet, radhët para dyqaneve që në orën dy apo tre të mëngjesit etj., etj.), do t’i duhet të armatoset pikërisht me durim, madje të madh, sepse premtimet bëhen me lehtësi, por kërkojnë mund e kohë që të bëhen realitet. Por kjo pritje ka, si shumë lloje pritjesh, edhe një përbërës të tretë, ankthin: Kush pret, përjeton edhe ankth ngaqë, përveç frikës se ndoshta premtimi nuk mbahet, është edhe frika se mos ai bëhet realitet tepër vonë për t’u shijuar dhe për të siguruar ndonjë të ardhme dinjitoze afatmesme, në mos afatgjatë. 



Ky ankth paszgjedhor është haraçi që qytetari paguan kur merr pjesë në zgjedhje, haraç ky përherë i njëjti, pavarësisht se cilit deputet apo cilës deputeteje ai ia jep votën; haraç i cili, nga një këndvështrim ekzistencialist sartrian, është detyrimisht pasojë e lënies peng të lirisë të të zgjedhurit nga ana e njeriut të qytetëruar. Së fundi, kjo pritje ka, na pëlqen apo nuk na pëlqen ta pranojmë, diçka erotike: premtuesi është si ai mashkulli që i premton femrës mrekullira: orgazma të njëpasnjëshme (në kuptimin e mirëfilltë apo në atë të figurshëm të fjalës), jetë të gjatë, të lumtur e pa strese, fëmijë të shëndetshëm, pushime në Dubai, pse jo, së shpejti edhe një udhëtim në Hënë etj., etj. 



Guxoj e them “diçka erotike”, sepse vetë pjesëmarrja jote në zgjedhje, o lexues i vëmendshëm, i paanshëm e pa paragjykime i rubrikës sime të çdo të diele, të kujton diçka pamohueshmërisht erotike: së pari, ti shkon e futesh në një qendër votimi; aty brenda, shkon e futesh në atë që quhet dhomë e fshehtë; aty brenda, e hedh fletëvotimin në kutinë e votimit nëpërmjet të çarës së saj gjatësore; nga kjo kuti votimi, falë edhe fletës sate, do të dalë një numër votash, të cilat, duke u mbledhur e bashkuar me shumë e shumë të tjera, do të kontribuojnë në zgjedhjen e një deputeti apo deputeteje, nga i cili ose e cila ti pret një të ardhme më të mirë, më të sigurt, tamam si prindi nga fëmija i vet, të cilin ai e ka ngjizur, rritur e nxjerrë në jetë. Siç e përmenda në krye të këtyre radhëve, të gjithë presin bëmat e qeverisë së re, kthimin në vepra të fjalëve premtuese e mikluese të partive të koalicionit të majtë që i fitoi zgjedhjet e 23 qershorit.



Sigurisht, më duhet t’i vë një bemol përemrit të pakufishëm “të gjithë”, sepse, realiteti, përvoja dhe logjika e ngjarjeve kanë treguar, tregojnë dhe do të tregojnë se jo të gjithë presin; opozita e re, le të themi pjesa më e madhe e parisë së saj, nuk pret ndonjë gjë të madhe nga qeveria e sapokrijuar, ajo madje i ka shprehur haptas ose me qesëndi rezervat e saj themelore; megjithatë, njoh njerëz që, ndonëse i përkasin zgjedhoratit të djathtë, ushqejnë iluzione lidhur me përmirësimin e të përditshmes së tyre, ashtu siç njoh njerëz që votojnë majtas, por që duken pesimistë në vlerësimin e situatës konkrete të vendit. Sido që të jetë, pritja, për mirë apo për keq, është pritje dhe përbërësit e saj kryesorë – shpresa, durimi, ankthi –, të orientuar drejt së ardhmes, janë faktorë të pandashëm nga jeta shoqërore dhe zhvillimi i saj në një vend ende aq problematik sa i yni.

/panorama/