Shokë shkolle dhe të njohur të Erjon Bobës, 15-vjeçarit që humbi jetën në Durrës pas një sherri mes të adoleshentësh, protestuan sot në sheshin qendror të qytetit bregdetar.

Protestës së lajmëruar në rrjete sociale iu bashkuan pak adoleshentë, të cilët kërkuan drejtësi për Erjonin dhe më shumë siguri në institucionet arsimore dhe jo vetëm.

Mes protestuesve ndodhej edhe vëllai i 15-vjeçarit që humbi jetën pas goditjeve me thikë në zemër nga 14-vjeçari M.K., por refuzoi të prononcohej për mediat.

Ndërkohë sot, rreth orës 11:00, në shkollën e mesme “Shejnaze Juka”  në Shkodër, u plagosën me thikë disa të rinj.

Sipas policisë, i riu me iniciale A.K, është konfliktuar me dy vëllezërit F. Th. dhe K. Th, dhe si pasojë kanë mbetur të tre të plagosur.

Të tre këta shtetas janë dërguar në spital, për mjekim, dhe raportohet se janë jashtë rrezikut për jetën.

Sherret me thika mes adoleshentëve po kthehen në ngjarje tronditëse për shoqërinë tonëm për më tepër kur ndodhin edhe brenda institucioneve arsimore.

Në videon e mëposhtme ndiqni prononcimet e dy prej shokëve të Erjon Bobës, të cilët flasin pikërisht për këtë pasiguri për jetën që po ndjejnë këta të mitur që në shoqëri apo rrjete sociale përballen me akte dhune dhe sherre për motive të dobëta.