Retro-reportazh

Ngado që të vërtitesh në Durrës, ke të bësh me kodrën e Vilës së Zogut. Dhe po të duash ta harrosh, ajo të kujton. Teksa kërkon të shkosh në bibliotekën publike të bashkisë. Teksa kërkon të shkosh tek amfiteatri. Teksa vjen me tren apo automjet nga Tirana apo Kavaja. Teksa shkon në plazh në Plepa e Golem. Teksa pushon në Currila. Teksa shëtit buzë detit, tek ish-“Vollga”, të shfaqet e pushtetshme: dy anë horizonti me kodër (perëndim-veri), dy anë horizonti me det (jug dhe lindje). Blerim kodre, kaltërsi Adriatiku. Por për durrsakët e lindur dhe të rritur këtu, një bisedë për Vilën (shkurt për kodrën apo Malin e Durrësit që vazhdon deri në Porto Romano), sjell lloj-lloj kujtimesh, por edhe ankesash. Kujtime romantike. Qyfyre me çifte dashnoresh. Pisha dhe akacie. Koncerte te kinoteatri veror. Lokali “Rinia”. Leje ndërtimi. Rrëshqitje dheu.

Çetat e pionierëve

… Këto ditë dhjetori një shok gjimnazi më ftoi të pinim kafe në një nga lokalet te Vila. Kujtuam vitet 1960-1970. Mbjelljet e akacieve, pishave dhe ndërtimin e një rruge në kreshtën e kodrës deri te Stani. Shkollat, atëherë 7-vjeçare dhe të mesme, në formë aksioni “vullnetar”, mbillnin çdo dhjetor pemë këtu. Por edhe reparte ushtarake. Organizata rinie të ndërmarrjeve industriale. Veteranë. U fillua me pisha dhe akacie te Vila dhe u vazhdua me ullinj deri në Spitallë. Nuk ishte gjë gazmore. Na mblidhnin komandantët e “çetave të pionierit” të klasave apo shkollës, na rreshtonin, na kontrollonin për shallin e kuq trekëndor të pionerit, vajzat për uniformën e zezë dhe jakë të bardhë. Mësuesi kujdestar dhe “komandanti i çetës së pionierit të klasës” na porosnin për displinë dhe punë të ndërgjegjshme. Një erë e ftohtë dhjetori dhe moti me mundësi shiu na dridhin pak. Mespërmes qytetit kolonat tona. I ngjiteshim kodrës dhe nga krahu i bibliotekës apo nga krahu i detit, rruga e fabrikës së cigareve “Telat Noga”. Një malore e lodhshme. Sidomos nga rruga e bibliotekës. Atëherë nuk kishte pallate. Ishin varrezat e vjetra. Një hark me mbishkrimin “Paqe”, në shqip, latinisht, italisht. Pastaj vinte depoja e ujësjellësit. Duke na u marrë fryma mbërrinim në shesh-pushimin poshtë ndërtesës së vilës mbretërore. Hapnim gropa apo i gjenim gropat e hapura. Ujë dhe llucë. Kapnim me kujdes fidanët e pishës dhe akacies. Edhe të lodhur, edhe gazmorë, si adoleshentë që ishim. Të bërtitura mësuesish. Më tej disa ushtarë. Edhe ata hapnin gropa dhe mbillnin. Natyrisht më shumë dhe më shpejt se ne kalamajtë.

Kështu vramë “Rininë”

… Kështu, brez pas brezi u ndërtua parku “Rinia”. Me projekt të bukur. Rrugina mes pemëve të shtruar me gurë mozaikësh. Ulluqe betoni për kullimin e ujërave. Ura të vogla druri. Një lokal veror. Dhe çdo gjë u kompletua me ndërtimin e një kinoteatri madhështor të hapur. Aty kam ndjekur në vitet 1980 koncerte të radio televizionit të Prishtinës, Janis Pariosit, ansambleve amatore nga gjithë vendi… Por nga gjithë kjo histori me kodrën e Vilës, më kanë mbetur në mendje piknikët si nxënës shkolle dhe punëtor ditët e 1 Majit. Një ekskursion gjimanzistësh 5-ditor në jug të Shqipërisë: Durrës-Sarandë-Korçë-Durrës. Por kujtimet të ballafaqojnë me realitetin e sotëm. Drurë të prerë, Pallate në kodër. Por edhe rrëshqitje dheu. Më kujtohet viti 2004 kur pashë i tmerruar depërtimin e baltës në katet e para të pallateve të kohës së Italisë poshtë kullës C të kalasë së Topiajve dhe Balshajve, pak më sipër shkollës së mesme të përgjithshme “Gjergj Kastrioti”. Këto pallate, ish-rezidenca diplomatike të konsullatave të huaja para Luftës II Botërore, po përballeshin me dukurinë e rrëshqitjes së ujërave nga themelet e pallateve më sipër që po ndërtoheshin, pasi ishin prerë akaciet. Në kodërvilën e Durrësit, pas viteve 1990, ishte bërë kërdia mbi pemë, zaptim deri dhe të kinoteatrit veror, prishje të mini-infrastrukturës së parkut (pyllit), rëndim nga pesha e pallateve… Kush janë autorët? Ndiej dhembje edhe më të madhe. Janë figura të njohura publike, miq të mij, njerëz të respektuar, por që ose kanë dhënë leje, ose kanë mbyllur sytë, ose kanë qenë të pafuqishëm për zbatimin e ligjit, të korruptuar ose jo. Të majtë dhe të djathtë. Ata dhe ne indiferentët “vramë” parkun tim, tëndin, tonin, tuajin. Vramë “Rininë” si objekt. Por dhe si moshë. 

Por nuk është vetëm Vila e shpërfytyruar. Vargu i kodrave të “Malit të Durrësit” është mbjellë dhe me ullinj. U krijua një fermë bujqësore shtetërore: NB (ndërmarrja bujqësore) Frutore Spitallë. Punoi rinia durrsake. Me punë vullnetare apo me detyrim. Me fonde shteti. Ullinjtë u prenë. Apo u morën qyl. U bënë ndërtime. Por rrëshqitjet mbi një truall argjilor dhe pa pemë rrezikojnë shtëpi. Shihni Currilat. Ka dhe më. Sipas studimeve të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, në vijën bregdetare të Durrësit, rreth 40 kilometra, brezi pyjor po shkon drejt zhdukjes graduale, duke prerë qindra pisha. Dëmtime janë bërë në plazhin e Porto Romanos, atë të Currilave, Kepit të Lalzit etj, ku pothuaj po zhduken gjurmët e gjelbërimit pyjor. Kush ka qenë në Lalëz, Golem, Karpen para viteve 1990, por dhe në vitet 2000, ende pa u filluar bumi i ndërtimeve, me leje dhe pa leje, është mahnitur nga “xhungla” 20 metra nga buza e ujit. Sidomos në brezin pyjor të Lalëzit. Larmi drurësh. Larmi cicërima zogjsh… 

Sytë e kaltër të ujëmbledhësve

Tani si gazetar kam qenë dëshmitar i shumë gjërave të paharrueshme, me peshën e dhembjes, revoltimit, pafuqishmërisë. Në vitet 1999-2002 më ka qëlluar të shkoj disa herë në zonën e Ishmit. Njëherë kur ish-kryeministri Pandeli Majko do të përuronte fillimin e ndërtimit të një fshati turistik në Lalëz. Pastaj, disa muaj më vonë, po këtu erdhi Ilir Meta, pasuesi i Majkos, kur bërtiste për ngadalësinë e punimeve. Pashë një pyll madhështor. U mahnita. Ishte krijuar në vitet 1950-1960 nga investimet shtetërore, por edhe me punë pa pagesë. Në muajin dhjetor të pyllëzimeve. Por dhe në muaj të tjerë, kur mund të zinin pemët.

Kryeministrat e kishin mendjen te propaganda. Unë u hutova pas bukurive të pyllit. Humba krejt. Por miku im deputet i zonës po më kërkonte. Kishte regjistruar në magnetofon debatet Meta-president firme. Paralajmërime për shpejtim punimesh. Ndëshkime, Rrugës dëgjoja ata, por mendjen e kisha te bukuria e pyllit, që do të dëmtohej dora-dorës. Kam qenë dhe në Ishëm. Në vitin 1993, kur “Mision Pa Kufi” ndërtoi një qendër mjekësore model, këtu dhe në Maminas. Rrugës, me gropa-gropa, për në skajin verior të rrethit të Durrësit, pashë rezervuarë artificialë vaditjeje, si sy të kaltër, edhe pyjet e famshme, që po “krasiteshin” për t’u kthyer në dru zjarri, qymyr druri. Kodra të valëzuara, me pyje të dendura, ku dhe nuk mund të shkonte njeriu, s’kishte rrugë. Parajsa e natyrës ishte dhe është zona më e varfër e Durrësit dhe e Shqipërisë. Dhe pse ka pyje, det, monumente natyre dhe kulture, religjioni, me emër të madh në historinë e Shqipërisë, resort i Skënderbeut. Për më tepër vendlindja e piktorit të madh shqiptaro-evropian Ibrahim Kodra.  

Pajtim në shkretinën e Rrushkullit

Isha me dhembje koke, rrufë, një grip alergji. Me dy mendje shkova në një aktivitet kryeministror, për shkak se në qytet do të vinte Presidenti i Republikës i kohës. Por në redaksi më thanë të shkoja në Ishëm. Do të kishte një ngjarje të veçantë. Në vitin 2001, kryetari i partisë, Fatos Nano, do të pajtohej me kryeministrin Ilir Meta. Kryeredaktori nuk e kishte qejf Meidanin.  As Nanon. Ishte mik i Metës. Ky erdhi me automjet. Nanoja me helikopter. Deputeti i zonës, edhe shok fakulteti, për hatrin tim, sajdisi dhe gazetarët e tjerë. Na vuri në dispozicion një minibus dhe një fuoristradë. Me të mbërritur në Ishëm, në majë të kodrës, ku ishte dhe shkolla e mesme dhe festohej përvjetori i krijimit të batalionit partizan Krujë-Ishëm, sikur ma hoqi gripin si me magji dikush. Një ajër i jashtzakonshëm pas një dite me shi. Pyje pa fund…

Pas ceremonive festive, gazetarët morën rrugën e kthimit. Por rreth orës 13.00, drejtori i policisë i qarkut, më kapi forcërisht dhe më futi në fuoristradën e tij. “Kam urdhër të të çoj në Rrushkull”. I thashë se duhej të kthehesha urgjent në Durrës, sepse do të informohesha për vizitën e Meidanit dhe do të mbyllja dy faqe gazete. Do të zbardhja nga kasetofoni 30 minuta fjalime të Metës dhe të një minsitri (atëherë nuk kishim internet dhe sajte qeverie dhe presidence ku mund të bënim “copy-paste” fjalimet). Isha tmerrësisht në ethe. Por kryepolici as që dëgjonte. “Thuaja deputetit. Vetëm ti nga gazetarët do të jesh në drekën që shtrohet në Rrushkull. Madje, me “protokoll” do të jesh mes Metës dhe Nanos, kështu më tha deputeti”. Pashë që ishte e kotë. Por nga ana tjetër, ngushëllohesha me faktin se do të shkoja në ish-rezervatin e famshëm të gjuetisë së bllokmenëve në Rrushull. Por pësova një tronditje të vërtetë. Rrugës pashë vetëm një shkretinë me cungje pemësh. Asnjë pyll. Tej deti gri i dallgëzuar. 97-ta kishte bërë kërdinë. Deputeti kishte gjetur një lokal dërrase, me çati të mbuluar me kashtë. Sa më pa, më thirri të ulem në tavolinë, teksa po vinin Meta dhe Nanoja. Rrotull ishin disa funksionarë vendorë partie dhe administrate. Iu luta mikut tim të më lejonte të largohesha, pasi do të mbyllja gazetën dhe nuk ia kisha ngenë drekës Nano-Meta. Pas shumë të luturash dhe vështrimit të habitur të deputetit (ai donte të prezantohesha personalisht me krerët e lartë dhe të mbaroja punët e mija personale) dhe drejtorit të policisë, u largova me një makinë të uniformave blu. Nga pas më ndiqte batërdia mbi rezervatin e gjuetisë.

Tokat e reja dhe drutë e zjarrit

Batërdi mbi pemët dhe lulishtet janë bërë dhe gjatë komunizmit. Hapja e tokave të reja ishte një metodë e kopjuar nga koha e Stalinit në BS. Ishte parulla e Enver Hoxhës: “T’u qepemi kodrave dhe maleve dhe t’i bëjmë pjellore si fushat” (fshehurazi, të rinj me “mbeturina borgjezo-revizioniste” këtë parullë e kishin transformuar në: “T’u qepemi gocave dhe t’i bëjmë pjellore si gratë”!) U prenë pyje të tërë për të prodhuar bukën në vend. Por u bënë dhe brezare madhështore në rivierë. Po ashtu, ngrohja me dru zjarri, solli zhdukjen e sipërfaqeve të tëra. U bënë investime të jashtzakonshme për mbjellje të reja që zëvendësonin drurët e zjarrit. Vinte dimri. Ishte shumë i ftohtë atëherë. Regjimi e kishte problem. Sidomos transportin. Janë shkarkuar nga detyra dhe u burgosën funksionarë që fajësoheshin se linin popullin pa ngrohje. Madje, kishte dhe sherre ministrash. Kam qenë dëshmitar në Drejtorinë e Përgjithshme të Hekurudhave kur ministri i Komunikacioneve kërkonte që të veprohej me shpejtësi për transportimin e druve të zjarrit për Tiranën, pasi ministri i Industrisë pretendonte se dru kishte në stacionet e Mjedës, Librazhdit e gjetkë. Çoheshin vagonë që prisnin drutë që vinin me makina. Jam marrë personalisht me këtë problem. Por do të ishte një histori e gjatë.

Jo vetëm kaq. Brenda në Durrës ato që bëjnë zyrtarët e sotëm, i bënin dhe gjatë regjimit komunist. Po sjell një shembull. Para se të ndërtohej pallati i sportit, ishte një lulishte e madhe, që shtrihej nga të dy anët e rrugës “Mujo Ulqinaku” që të çon në drejtim të stadiumit. Në krahun e majtë, meqë u ndërtuan pallati i oficerëve të marinës dhe vendstrehime, u dëmtua dhe lulishtja, u prenë pemë (tani janë ndërtuar 9-katëshe). Në krahun e djathtë u ndërtua pallati i sportit. Kishin mbetur pa u prerë disa shelgje, që janë dhe sot. Më kujtohet, që një instruktor partie, kryeredaktor i gazetës “Adriatiku”, një njeri i ndjeshëm, tejet korrekt, i ndjeri Shefqet Karaj, më ndaloi në rrugë, përballë pallatit të sportit. “Shoku Filan Fistiku (sekretari i parë, anëtar i byrosë politike) kërkon mendime nëse duhen prerë këto dy-tre shelgjë që kanë mbetur. Ato po zënë pamjen e pallatit nga ana perëndimore. I kanë thënë arkitektët”. Mbaj mend që i thashë se pemët janë më të bukura se ndërtesat. Pastaj, shoku Filan është vetë agronom”. Biseduam sa biseduam dhe Çeti u largua. Shelgjet nuk u prenë. Nuk e di nëse kanë ndikuar dhe argumentet e mia!   

Monumente të natyrës

Rrethi i Durrësit

1.      Kepi  dhe Falëza e Rodonit

2.      Plazhi i Kallmit

3.      Çinari i Balliasit

4.      Plazhi i Shënpjetrit

5.      Shkëmbi i Kavajës

6.      Rrapi i Rubjekës

7.      Pylli i Kolndrekajve – Ishëm


 

Rrethi  i Krujës

1.      Sarisalltëku dhe shpella

2.      Gryka e Vajës

3.      Gryka e Zeze

4.      Selvia e Fushëkrujës

5.      Rrapi i Buranit

6.      Masivi i pishës së zezë Qafë Shtamë

7.      Kroi i Nënës Mbretëreshë

8.      Rrapi ose Çinari i Bretit

9.      Rrapi i Ballabanecit

10.    Rrapi i Taslloit

11.    Rrepet e Aramerasit – Fushë Krujë