Edhe pse në qeli prej afro katër muajsh tanimë, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndihet krenar për Tiranën turistike.
Në një postim në Facebook, Veliaj ka ndarë disa foto të vjetra të tij në sheshin Skënderbej. Thekson se nuk ka “ditë që zonat kryesore të kryeqytetit nuk gëlojnë nga turistët”.
“Kjo më mbush me krenari, sidomos kur mendoj se në 2015-ën edhe një grusht turistësh që vinin në Tiranë nuk kishin se çfarë të bënin apo të vizitonin. Sot ka ndryshuar kaq shumë e për ta vërtetuar këtë mjafton të shikoni se si hotelet janë plot, restorantet kanë më shumë punë e se si për qytetin prodhohet më shumë ekonomi. Asnjë nga këto nuk do të kishte ndodhur nëse nuk do të kishim një vizion të qartë investimesh në Tiranë, të cilat sollën transformimin e sotëm për qytetarët, por edhe mbi 10 milionë turistë, që tani kanë se çfarë të rrëfejnë për Tiranën dhe Shqipërinë kur kthehen në vendin e tyre”, shkruan kryebashkiaku.
Veliaj u arrestua më 10 shkurt, i akuzuar për dy vepra penale, atë të “korrupsionit pasiv” në 9 raste dhe “pastrim parash”. 2 ditë më vonë, u verifikua masa e “arrestit me burg” ndaj tij në GJKKO, ndërkohë që për bashkëshorten e tij Ajola Xoxa u caktua masa e “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”. Ndërkohë së fundmi, SPAK i ka shtuar edhe një akuzë tjetër Veliajt, atë të “fshehjes së pasurisë”.





