Përshkon një nga lagjet më të vjetra të qytetit dhe është dëshmi e zhvillimit urban të Durrësit në të paktën 100 vitet e fundit.

Godinat gati një shekullore bashkëjetojnë me ndërtimet e viteve të tranzicionit, por ajo që tërheq më shumë vëmendjen në rrugën “Mustafa Varoshi”, në lagjen nr.11, është infrastruktura rrugore.

Mu në zemër të qytetit shtrihet një nga akset më të degraduara përsa i përket shtresave asfaltike, por edhe ndër më problematikët për parkimet.

“Më keq nuk ka ku të shkojë. Pusetat janë të bllokuara, nuk vijnë që t’i pastrojnë, ndërsa rruga është copë-copë”.

“Duke parë që ka shumë fluks makinash, normalisht do mirëmbajtje. Parkime nuk ka fare… rrugicat e Durrësit duhan mirëmbajtje dhe më shumë punë vullnetare”.

“Eshtë bërë rruga më e keqe që ka Durrësi, ka qenë rruga më e qetë. Tani më zënë derën e shtëpisë. nuk mund të hy dot në shtëpinë time!”

“Lagjja më e bukur kjo është, po bashkia nuk i mirëmban. Duhet t’i mirëmbajë. Mos t’i bëjnë punët pa cilësi, t’i bëjnë me cilësi dhe nuk e gjen gjë rrugën”,- thonë banorët për “DurrësLajm”.

Për rezidentët, përballja me këto problematika është një shqetësim i përditshëm, që nuk merr zgjidhje. Në lagjen historike ndeshesh dhe me një fenomen tjetër, që ndër vite është identifikuar si “rrjeta e merimangës”.

Nuk janë fije të krijuara nga insekti i bezdisshëm për amvisat, por kallbo të koklavitur nga kompanitë e internetit, telefonisë etj. 

“Të gjithë që vijnë këtu shohin këto këtu sipër dhe fillojnë me fol dhe me fotografu. Unë kam jetu dhe jashtë shtetit, po nuk ka kallbo interneti si këtu mor zot. Ça bëhet kështu!”– thotë një nga banorët.

E ndërsa në rrugët e kryeqytetit shqiptar të turizmit qarkullojnë çdo ditë turistë nga vende të ndryshme të botës, shumë pranë qendrës, ata kanë mundësi të vëzhgojnë nga afër atë çfarë tranzicioni i tejzgjatur i ka lënë “trashëgimi” qytetit në 35 vitet e fundit.

M.B.