Pas problematikave të ndodhura ditën e sotme në rrugën Qukës-Qafë Plloçë, ka reaguar deputeti i Partisë Demokratike Ivi Kaso, duke kërkuar marrjen e masave të menjëhershme nga autoritetet për sigurinë e qytetarëve.

Në një reagim në rrjete sociale, duke e cilësuar si “rrugën e turpit” të ministres së pandehur Belinda Balluku, Kaso përmend dëmtimin e automjetit paradite për shkak të rrëshqitjes së inerteve. Ai thotë se autoritetet duhet të garantojnë sigurinë menjëherë.

“Në rrugën e turpit “Qukës-Qafë Plloçë”, midis dy tuneleve, nga rrëshqitjet e inerteve në rrugë, është dëmtuar një automjet, dhe rrezikohen të dëmtohen të tjerë. Për fat të mirë persona të lënduar nuk ka. Autoritetet duhet të marrin masa të menjëhershme për të garantuar sigurinë e kalimtarëve!”, ka shkruar deputeti.

Kujtojmë që paraditen e sotme, një automjet u godit nga një masiv dheu në momentin e daljes nga tuneli por fatmirësisht nuk pati të lënduar. Ndërsa pak më parë, u bllokua njëra prej korsive të qarkullimit për shkak të rrëshqitjeve të tjera të dherave.