Prej disa ditësh, segmenti rrugor që nis nga autostrada, përshkon zonën e ish-Kënetës e përfundon në kampusin universitar “Aleksandër Moisiu” në Durrës, është bllokuar për qarkullimin e automjeteve.
Firma ndërtuese e këtij aksi që ka kryer punimet dhe firma e gazsjellësit TAP (Trans Adratic Pipeline), janë në sherr me njëra-tjetrën. Kompania ndërtuese në rrethrrotullimin e Kënetës dhe në rrethrrotullimin pranë universitetit, ka vendosur blloqe betoni duke ndaluar kështu qarkullimin e të gjitha mjeteve.
“TAP” kërkon përdorimin e këtij segmenti rrugor, rreth 2 km të gjatë, ndërsa rruga nuk është marrë në dorëzim akoma tek Autoriteti i Rrugëve. Në këtë situatë, kompania ndërtuese nuk lejon përdorimin e rrugës nga automjetet e rënda të TAP-it, me pretendimin se dëmton rrugën.
Bllokimi i segmentit rrugor, ka sjellë mjaft shqetësim kryesisht për komunitetin e zonës. Vetëm gjatë kësaj fillim jave, ka nisur edhe vendosja e sinjalistikës vertikale dhe asaj horizontale, ndriçuesve dhe bordurave ndarëse. Në mungesë të sinjalistikës, kjo rrugë ka qenë e hapur prej më shumë se 4 vitesh për të gjithë përdoruesit e saj.
Fillimi i punimeve të projektit gjigant të gazsjellësit TAP, që aktualisht bën grumbullimin e bazës materiale në afërsi të Shën Vlashit, kërkon përdorimin e kësaj rruge nga mjetet e tyre të transportit. Bllokimi i kësaj rruge u ka sjellë shqetësim shumë bizneseve që operojnë aty afër, ndërsa automjetet, për të lëvizur drejt korpusit universitar, u duhet të kalojnë nga qyteti.
K.H.





