5 nëntor 2015 – Të gjithë ata qytetarë që kalojnë çdo mëngjes nga qendra kryesore e Durrësit, në sheshin “Liria”, e ngadalësojnë hapin e tyre kur përshkojnë këtë rrugë, pasi kanë frikë se mund të rrëshqasin e të lëndohen. Megjithëse mund të jenë me vonesë për në punë, shkollë apo angazhimet e tyre të përditshme, ata detyrohen që të ecin me mjaft kujdes në këtë rrugë, nga frika se mos "thyejnë" qafën.

Trotuaret së bashku me pllakat e mermerta e të bukura, çdo mëngjes “lahen” mirë e mirë nga vesa e nga pluhuri gjithashtu, duke dhënë si përfundim këtë rezultat: një shesh gjithë baltë e aspak të pastër apo estetik siç duhet t’i ketë hije një qyteti të rëndësishëm si Durrësi. Edhe për shatërvanët nga ana tjetër, ka kohë që nuk kujdeset kush. Siç shihet dhe nga pamjet, ata ngjasojnë më tepër me pellgje me ujë të ndenjura.

Por, mirëmbajtja e tyre kushton. Jo vetëm mirëmbajtja e qendrës kryesore të qytetit, por e rrugëve në përgjithësi në Durrës. Dhe siç paralajmëroi kryebashkiaku Vangjush Dako, të ardhurat nuk do të jenë të larta, pasi buxheti për qarkun e Durrësit do të jetë modest për këtë vit.

Buxheti është i varur nga paratë që jep qeveria dhe nga mbledhja e taksave e tarifave vendore. Këtë vit biznesi është në vështirësi, por njëkohësisht ulja e taksës së pasurisë me 30% pritet të këtë ndikim në të ardhurat e bashkisë së Durrësit”, theksoi Dako pak ditë më parë.

Megjithatë, kreu i bashkisë nënvizoi gjithashtu se qendrës i kushtohet një vëmendje e veçantë pasi ajo ka qenë dhe është e rëndësishme për thithjen e investimeve.

Megjithëse ky do të jetë një vit i vështirë për sa i përket investimeve për komunitetin, bashkia nuk ka lënë jashtë vëmendjes riparimin dhe zëvendësimin e pllakave të prishura në trotuaret e rrugës kryesore “Aleksandër Goga”, një problematikë të cilën e ngriti dhe portali "DurresLajm" pas ankesave të shumta të qytetarëve.

/S.L. portali DurresLajm/