DURRËS, 15 maj 2013 –Autoriteti Portual Durrës do të shesë më 29 maj 2013 mjete dhe mekanizma të terminalit të kontejnerëve (në 18 lote), njofton drejtoria ekzekutive e APD-së.
Janë mjete portale, të cilat përdoren për përpunimin e kontejnerëve në port si vinçat portualë MHC 200 (prodhim i vitit 2004) me spreder dhe MHC 115 me speder (prodhim i vitit 2008), rotator për spreader (prodhim i vitit 2002), reachstacker CS45KS (prodhim i vitit 2002), autovinç FDC320 (prodhim i vitit 1995), autovinç kalmar DCD70-40 E5 (prodhim i viti 2007), vinç pirun Hyster H 250XL (prodhim i vitit 2001), 5 koka tërheqëse Scania (prodhim i vitit 1996), 5 trajlerë pa dysheme (prodhim i vitit 1996).
Këto mjete kanë përballuar vëllime të mëdha pune.
Por kanë pasur dhe defekte të shumta, duke pezulluar për ditë të tëra veprimtarinë në terminal.
Vlera fillestare e shitjes të të gjitha mjeteve arrin në mbi 520,7 milionë lekë (4.8 milionë dollarë).
Kurum
Më 6 shkurt 2013, në mjediset e drejtorisë së përgjithshme të APD në prani të ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi, u nënshkrua procesverbali i dorëzimit për koncesionin terminalit të kontejnerëve në territorin portual.
Marrëveshja u nënshkrua nga drejtori i përgjithshëm i APD, Eduard Ndreu dhe administratori i shoqërisë koncesionare Kurum, Ahmed Kursun.
Në ceremoni mori pjesë edhe administratori i përgjithshëm i kompanisë turke, Hashmet Kurum.
Koncesioni parashikon një investim në vlerën prej 30.5 milionë dollarësh përgjatë 35 viteve të zhvillimit të koncesionit-tha më tej z. Olldashi.
Koncesioni parashikon që të gjithë punonjësit e terminalit të kontejnerëve do të vazhdojnë të punojnë, tanimë jo si punonjës së portit detar, por si punonjës të terminalit të kontejnerëve me koncesionin Kurum.
Info
Terminali ka sipërfaqe prej 30 mijë m katrorë, dhe gjatësi kalate operacionale për anijet kontejnerike 120 ml.
Kapaciteti aktual i terminalit të kontejnerëve është rreth 45 mijë TEU në vit.
Për të bërë përpunimin e anijeve kontejnerike, terminali disponon këto pajisje:
– një vinç të lëvizshëm -120 tonë.
– një elektrovinç 45 tonë.
– katër koka tërheqëse.
– dy stivues kontenierësh ”Reachstackers” me kapacitet 45 ton.
– katër trailera me kapacitet 40 tonë.
– dy piruna ngritës 12 tonë.
– stivues i dedikuar për kontenierë pa ngarkesë me kapacitet 7 tonë.
– 51 poste për kontejnerët frigoriferikë.
Ai ndahet në terminalin e kontejnerëve me ngarkesë dhe pa ngarkesë. TK me ngarkesë ndodhet në sheshet pranë kalatave 6, 7 dhe 8. TK pa ngarkesë ndodhet në sheshet e depozitimit më afër kalatës nr. 4.
/th.m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





