Nga Mark Brunga*

DURRËS,3 nëntor 2013 – Skulptura e Nastradin Hoxhës e dalë në shitjet on line është një vepër arti origjinale bronzi e konstruktuar mbi një bazament mermeri dhe në kushte ruajtjeje mjaft të mira. Sipas adresimit të bërë nga shitësit, është me origjinë nga qyteti Erzurum, rajoni Palandoken, Turqi. Përmasat e skulpturës janë 80 mm x 115 mm x 150 mm. Objekt i vogël tavoline (peshon rreth 767 gramë). Nuk kuptohet nëse kanë dashur të bëjnë humor me Nastradin Hoxhën e famshëm apo sepse është kohë krize ekonomike ndërkombëtare që predatori i humorit oriental të shitet kaq lirë, teksa vepra duket tepër e realizuar artistikisht. Ankandi on line ka filluar me 1 dollar dhe ka përfunduar me shitjen 49 dollarë.

Dhjetëra vendlindje

Në biografinë shoqëruese të objektit, për personazhin e famshëm të folklorit oriental shkruhet se ai njihet në shume vende, në Turqinë Otomane, Persi, Arabi, Uzbekistan, Bosnjë, Shqipëri, etj. Ky personazh interesant, mjaft i kultivuar për bëmat e tij, si personazh i shumë përrallave dhe anekdotave të thekura, besohet se ka jetuar dhe vdekur gjatë shekullit XIII në Aksehir, kryeqyteti i Sulltanatit të Selxhukëve në Turqinë e sotme. Nastradin Hoxha shfaqet në mijëra tregime të mrekullueshme popullore, me humor mjaft të mprehtë, por në disa zona është trajtuar edhe sikur hiqej i leshtë, i prapambetur për ta bërë me prekëse shakanë. Tregimet e tij shquhen zakonisht për humorin delikat dhe natyrën pedagogjike të fabulave. Datëlindja e Nastradin Hoxhës festohet në mes të muajit korrik, mes datave 5-10, në dhjetëra vende, që pretendohen si vendlindje të Nastradinit. Fenomen ky i njohur me grindjet e qyteteve greke për Homerin.

Një histori durrsake

Nisur nga pozicioni i qëndrimit mbrapsht të heroit të barsoletave mesjetare, kjo vepër arti, na kujton edhe Durrësin me shakatë ala nastradinshe që qarkullonin e mbase janë aktive dhe në ditët tona. Në qytetin e Durrësit qarkullonte vite më parë një barsoletë, e cila kishte si temë një prej udhëtimeve të Nastradinit. Duke dashur ta tallnin, disa të rinj të përkëdhelur i thërrasin Nastradinit, i cili po udhëtonte si zakonisht me gomarin e tij proverbial dhe e pyesin se nga po shkonte me atë vapor. Nastradini i përshëndet me shumë mirësjellje dhe më pas u thotë se ai nuk e dinte, por do të bënin mirë të hynin në anije dhe të pyesnin kapitenin. Dhe u ngriti lart bishtin e gomarit, duke dashur t’u tregojë se ku duhej të futeshin! Kjo është histori Durrësi, por e qarkulluar në qytete bregdetare, ose e ardhur nga Vlora e anasjelltas deri në qytetet bregdetare të Turqisë e të vendeve të ndryshme. Po figura prej bronzi e të urtit Nastradin në pozicionin e ngritjes së bishtit të gomarit e afroi atë me historitë që dëgjohen edhe në vendin tonë.

* Autori është gazetar nga Durrësi, i njohur dhe si ekspert antikuarësh.

/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/