Nga Mark Brunga*

DURRËS, 26 nëntor 2013 – Këto ditë kur në vendin tonë ka pasur shumë ngjarje sensacionale lidhur me tregtimin e veprave të artit dhe kontrabandimin e tyre, siç është problemi i akuzave për trafik ikonash, në ankandet on line janë ekspozuar objekte për shitje me vlera të rralla që i përkasin Mbretit Faruk të Egjiptit, me origjinë shqiptare. Në ekspozenë e paraqitur mbi objektet e nxjerra në shitje, theksohet se ky grup objektesh është me vlera të rralla të pakrahasueshme me grupe të tjera antikuarësh. Pronari i objekteve të vëna në shitje on line me burim nga Beebe, Arkansas, United States, ka shprehur besimin se një prej objekteve, servisi i argjendtë, është me vlera të rralla dhe se kushton shumë më tepër se sa çmimi i caktuar prej tij prej rreth 300 000 mijë dollarë. Sipas certifikatës së paraqitur, objekti i përket ish-mbretit Faruk të Egjiptit. Mendohet se objektet janë të trashëguara nga gjyshi i tij shqiptar Mehmet Ali Pasha. Servisi i argjendtë, një prej thesareve të pallatit mbretëror të Egjiptit, është i punuar në qytetin e famshëm të Damaskut me zbukurime floreale të realizuar në savat, oksid plumbi. Ky servis ka shërbyer për ushqimin me oriz të familjes mbretërore. Mendohet se ky objekt mjaft specifik, është unikal në vlera, pasi, sipas ekspertëve të shitjeve on line, nuk është parë ndonjë set tjetër me këto punime fine dhe vlera të rralla. Ata kanë bërë të ditur se nuk kanë parë as edhe foto të ndonjë objekti te ngjashëm me foton e servisit mbretëror që po paraqesim në foto. Kur mbreti Faruk zëvendësoi në fron babanë e tij, Mbretin Fuad II si mbret i Egjiptit, së bashku me fronin mbretëror, ai ka trashëguar 4 pallate me të gjitha orenditë dhe thesaret antike të shumta që ndodheshin në ato pallate. Po edhe mbreti Fuad II i kishte trashëguar pallatet, të mbushura me këto lloje thesaresh nga i ati. Mendohet se objekti i argjendtë i përket monarkut të gjeneratave të para të kësaj familjeje mbretërore, gjyshit të madh të Farukut. Ky servis është një prej objekteve të rralla që Faruku ka trashëguar në linjë të drejtpërdrejtë nga gjyshërit e tij mbretërorë. Objekti është me këto përmasa: 31/4 inç i gjatë, 23/4 inç i gjerë. Të gjitha objektet prej argjendi dhe bronzi peshojnë rreth 65 lbs (29 kg e 483,5 gr). Enët janë të zbukuruara me stilizime mjaft të bukura si dhe me nga një lutje fetare në gjuhën arabe. Janë gjithsej 7 lutje të ndryshme nga njëra tjetra. Mbishkrimet janë të gdhendura thellë në metalin e tabakasë me përbërje argjendi dhe bronzi. Një objekt tjetër, mbajtëse e argjendtë dhe mjaft luksoze cigaresh, është vlerësuar me çmim fillestar prej 260 000 dollarë dhe ka arritur në shitje në nivelin e 320.000 $ (në foto). Objekti ka dhe stemën e mbretit Faruk. Është një kryevepër e punimet në argjend. Po kështu të një cilësie të skajshme janë edhe një objekt druri të rrallë, punuar me mermer dhe bronz, me vlerë 145 000 dollarë (në foto), si dhe pjata prej porcelani me vlerë 30 000 dollarë (në foto). Këto objekte, së bashku me shumë të tjera, kanë qenë të sekuestruara nga qeveria ushtarake që rrëzoi nga froni mbretin Faruk në fillim të viteve 50-të të shekullit të shkuar. Për arsye përfitimesh monetare një pjesë e mirë e këtyre objekteve dhe thesareve janë vënë në shitje nga ushtarakët,të cilat janë blerë nga magnatët e naftës, të cilët i kanë transportuar objektet në bankat e tyre dhe kanë livruar para të shumta në këmbim të tyre. Objektet janë transportuar dhe për rreth 20 vite kanë mbetur të mbyllura në magazina. Pas vdekjes së blerësit të parë, magnatit të naftës John Mendenhahl, trashëgimtari i tij i ka nxjerrë koleksionet e shumta të mbretit Farouk për shitje (Mbreti Faruk, gruaja e tij Farida, babai dhe gjyshërit ishin të gjithë myslimanë. Faruk ishte gjithashtu anëtar i Urdhrit Masonik).

VIOLINA “STARDIVARIUS” E GJYSHIT TË FARUKUT NË SHQIPËRI

Dokumentet flasin se edhe në vendin tonë kishin arritur prej vitesh objekte me vlera të rralla antikuarësh nga koleksioni i familjes mbretërore të Farukut. Në  Shqipëri ka pasur persona që zotëronin një vegël muzikore të rrallë, e cila përbën edhe sot një ndër objektet antikuarë me vlera shumë të mëdha e mjaft të lakmuara në ankandet e vendeve perëndimore me potencial të madh ekonomik.  Për violinën “Stradivarius” në Shqiëri flitet se violina e parë e mjeshtrit të madh ka ardhur që në kohët e Mehmet Ali Pashës. Ajo kishte rënë në duar të nipit të tij, Adil Serezit, ish-latifondist dhe bashkëpunëtor i mbretit Zog, i dënuar nga regjimi i Hoxhës me 15 vjet burgim pas çlirimit të vendit. Në librin autobiografik të Nazif Bezhanit “I mallkuari i Noes” autori shpjegon se si ndodhi që ishte arrestuar dhe dënuar pronari i violinës së rrallë. Çlirimi i vendit e kishte gjetur, sikurse i kishte thënë Serezi, të ndarë nga gruaja e tij që banonte në Sofje dhe se, për të jetuar, ai kishte filluar të punonte si bahçevan në Universitetin e Tiranës. Një ditë atë e takon Feçorr Shehu, drejtor i Sigurimit të Tiranës dhe i thotë: “Jam i dërguar nga Mehmet Shehu dhe kjo dorë që po të jap është dora e shokut Mehmet. Ai është i informuar mire që ti ke një violinë “Stardivarius” dhe pasuri të tjera jashtë shtetit. Ne kërkojmë që ti ato t’ia falësh shtetit dhe ne do të mendojmë për jetën tënde”. Sipas Bezhanit, Adili kishte mbetur i shtangur, pa e ditur si të përgjigjej . Ishte e vërtetë që ai kishte një trashëgim të tillë, por atë nuk e dinte askush veç tij dhe të shoqes, që tani banonte jashtë shtetit.

HISTORIKU I VIOLINËS SË SEREZIT

Ajo violinë e rrallë, shkruan Bezhani, i ishte dhuruar gjyshit të tij, kur ishte guvernator në Egjipt, nga ana e Napoleon Bonapartit dhe ai i a kishte lënë trashëgim djalit të tij adoptiv, Ali Serezit, që ishte babai i Adilit. Përfundimisht, ajo mbeti në posedimin ligjor të Adilit, i cili e ruante me kujdes në banesën e tij jashtë shtetit. Atë violinë e kishin parë edhe shumë antikuarë dhe e kishin kërkuar për ta blerë me çmime fantastike, por ai nuk e kishte dhënë, sepse nuk kishte nevojë për para dhe se e ruante kujtim nga babai. Për këtë ai iu përgjigj Feçorr Shehut: “Nuk mund t’jua jap, sepse e kam kujtim nga babai!”

 

PERSEKUTIMI

Menjëherë pas përgjigjes kundërshtuese që dha ndaj kësaj çështjeje, u përgatit akuza për bashkëpunim me Zogun dhe shumë shpejt, kujton Bezhani në librin autobiografik, iu komunikua dhe vendimi i dënimit. Ky ish-milioner dhe posedues i një vegle të çmuar muzikore, tani ishte katandisur për mëshirë… Nuk dihet më tej fati i kësaj violine që mbeti në Bullgari dhe që historikisht rrënjët e saj, si objekt i rëndësishëm historik, shtriheshin deri te Napoleon Bonoparti.

Info/

1. Mehmet Ali Pasha, gjyshi i mbretit Faruk

Muhamed (Mehmet) Ali Pasha shqiptari është themelues i shtetit të Egjiptit modern, si shtet i parë islamik i dalë nga feudalizmi i mesjetës. Mehmet Ali Pasha (1769-1849) i njohur me emrin Muhamed Ali, është një nga djemtë më të famshëm që tokat shqiptare kanë nxjerrë në historinë e tyre. Me origjinë nga Kavalla e Çamërisë në Greqi, tokë shqiptare të cilën juntat greke me forcën e pastrimit etnik e shpopulluan në mesin e shekullit të XX nga shqiptarët e besimit islam. Për Mehmet Aliun tregohet që të ketë lindur në një familje të thjeshtë shqiptare, dhe pasi Mehmeti për njëfarë kohe është marrë me tregti nëpër Çamëri, më vonë ka vendosur që t’i bashkohet ushtrisë së perandorisë Osmane. Për Mehmet Aliun tregohet se, edhe pse nuk ka ditur të shkruajë dhe të lexojë ka qenë një njeri i mençur dhe largpamës, gjë që e bëri atë të bëjë karrierë në ditët e mëpasme të jetës.

Në ditët kur Napoleon Bonoparti pushtoi Egjiptin, i cili që nga koha e Sulltan Selimit kishte qenë pjesë e pandashme e perandorisë osmane, Mehmet Aliu, ashtu si edhe shumë myslimanë të tjerë, shtetas të perandorisë, u ngrit për të mbrojtur këtë tokë nga kolonizatorët e rinj. Në krye të një batalioni me shqiptarë, Mehmet Aliu marshoi drejt Egjiptit, ku pas përpjekjeve të ndryshme luftarake me francezët, më në fund, Egjipti u çlirua nga zgjedha bonapartiste. Pas çlirimit të Egjiptit dhe mosmarrëveshjeve të ndryshme civile, më në fund, në vitin 1805, Mehmet Aliu me këshillën e Shaikëut të Azharit, mori fermanin nga Sulltani për t’u bërë guvernator i Egjiptit së bashku me titullin Pasha. Duke parë situatën e prapambetur të Egjiptit të asaj kohe, Mehmet Aliu ishte ai që filloi punën konkrete për zhvillimin e vendit. Por, si rrjedhojë e konflikteve me çifligarët vendas (mamlukët), intrigat e tyre, kërcënimet ndaj Mehmet Aliut dhe mosbindjen ndaj rregullave të shtetit, Mehmet Aliu me rastin e dërgimit të birit të tij, Tosum Pashanë në Arabi kundër vehabive (selefi) organizoi një darkë për të gjithë parinë vendase mamluke. Pasi i ftoi të gjithë në kështjellën e tij, Mehmet Aliu që e kishte rrethuar me rojat e tij shqiptare, i urdhëroi të ekzekutonin të gjithë kundërshtarët, që i kishte ftuar atë natë. Pas këtij veprimi, Mehmet Aliu e siguroi njëherë e përgjithmonë pushtetin e tij mbi Egjipt, pasi ai arriti t’i eliminojë rivalët e tij atë mbrëmje. Nga ky akt, sa mizor dhe i pabesë i Mehmet Aliut, shumë mamlukë që shpëtuan, filluan të nxisin urrejtjen arabe kundër Mehmet Aliut, që mbahet si i pari politikan makiavelist në historinë moderne islame.

2. Mehmet Aliu i ka dhuruar Francës Luxorin

Luan Rama shkruan rreth kësaj figure: “Në librin tim “Krushq të largët”, botuar para disa vitesh, kam shkruar një kapitull për figurën e Mehmet Aliut dhe obeliskun e Luksorit, të cilin ai ia dhuroi mbretit të Francës për ndihmën që francezët i kishin dhënë për modernizimin e Egjiptit. Obelisku monolit prej 23 metrash, plot hieroglife mbi lavdinë e Ramsesit II, i vendosur në sheshin e Concorde-s është padyshim një nga dëshmitë më të spikatura të kësaj lidhjeje të fortë. Udhëtimi i obeliskut nga Asuani e gjer në Paris është sigurisht një nga aventurat më të guximshme të asaj kohe. Ky bllok i gdhendur guri prej 230 tonësh, vështirë të transportohej në një itinerar aq të gjatë. I hipur në një lundër të madhe, obelisku i Luksorit do të udhëtonte nëpër Nil gjer në Aleksandri e që andej do të merrte detin Mesdhe për të zbarkuar në Havër, dhe që andej, nëpërmjet Senës, do të merrte udhën për në Paris. Ishte viti 1836”.

* Gazetar i njohur nga Durrësi. Shkrimi dhe fotot i janë dërguar “Dyrrah”-ut nga autori. Specialja botohet në versionin e plotë.

/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/