Media italiane “Meridionews” ka zbardhur detaje të reja nga dosja hetimore e prokurorisë së Catania, mbi bandën shqiptare e cila trafikonte drogë dhe drejtohej nga Julian Hoxhaj dhe Indrit Karafili.
Artikulli i medias italiane ka zbardhur një përgjim të datës 9 prill të vitit 2019. Biseda zhvillohet brenda një “BMW X3”, që lëviz në rrugët e katanias, ku diskutojnë Julian Hoxhaj, Indrit Karafili dhe një i ri 26-vjeçar nga Katania. Ata nxjerrin në pah miqësinë e veçantë që ka nisur Moisi Habilaj me Natalino Nizza (djali i një bosi droge) në korridoret e burgut të Bicocca.
Siç thonë hetimet, miqësia mes Habilajt dhe Nizza-s i hapi rrugën biznesit të drogës të Hoxhajt dhe Karafilit në Katania.
Në dokumentet e hetimit zbulohen edhe mosmarrëveshjet për pagesat.
“Unë e kam mbaruar punën time, tani dua paratë e mia”, i tha Karafili një burri shqiptar gjatë një prej shumë udhëtimeve të tij në Katania.
Qendra e dialogut, sipas medias italiane, ishte një borxh prej rreth 80 mijë eurosh për një furnizim.
Mes të tjerash, në përgjimet e publikuara nga “Meridionews”, një nga bisedat më interesante të kapura mes njërit prej pjesëtarëve shqiptarë të grupit kriminal si edhe bashkëpunëtorit të tij kolumbian, rinxjerr në skenë zhvillimet e trafikut të drogës në periudhën 2016-2019 në Shqipëri.
“Trafikimi i marijuanës në Shqipëri është i paligjshëm prej tre vitesh, që kur erdhi ajo copë muti… Deri para tre vitesh ishte kështu…10 përqind e merrte shteti”, shpjegoi Karafili në një dialog që daton në vitin 2019. Megjithatë, siç shkruan edhe “Meridionews”, nuk është e qartë se kujt i referohet Indrit Karafili në përgjimet e publikuara.





