Fetusi femëror nuk është shënjestër i shkatërrimit vetëm në Indi dhe Kinë, por edhe në Shqipëri, Mal të Zi, Kosovë dhe Maqedoni, kështu që me ‘tepricë’ të meshkujve do të ketë pasoja dramatike për shoqëritë edhe në vendet ballkanike.
Kështu thuhet në një tekst me titull “Teknologjia e lartë përmbushë dëshirat tradicionale”, në numrin e sotëm të së përditshmes gjermane Süddeutsche Zeitung.
Në përshkrimin e gjerë thuhet se në Shqipëri qysh tash në 100 vajza të porsalindura në jetë vinë 112 djem, situatë e njëjtë sikur në Indi ku “gjendercidi” apo “femicidi” me dekada është problem social.
Bëhet fjalë për ndërprerjen e shtatzënisë, kryesisht nën presionin e burrave dhe familjeve të tyre, në rastet kur vërtetohet se bëhet fjale për fetus femëror, por edhe për vrasjen e foshnjave të porsalindura.
Situata nuk është hiç më e mira edhe në vendet tjera të Ballkanit. Christophe Guilmoto ekspert për popullsinë nga Institutit për Zhvillim të Universitetit të Parisit –Dekart, ka thënë për Süddeutsche Zeitung se në Kosovë në 100 vajza të lindura vijnë 110 djem, në Mal të Zi 109, në Maqedoni 106.
Mesatarja e gjinive të porsalindurit në tërë botën është 100 kundrejt 105 në të mirë të djemve.
Kjo ‘tepricë’ e djemve më vonë neutralizohet për shkak të shkallës së lartë të vdekshmërisë së fëmijëve meshkuj. Megjithatë, kur numri i madh i djemve nuk është në proporcion me shkallën e lindjeve të vajzave, struktura demografike ndryshon në mënyrë drastike.
Në Ballkan, siç thotë Guilmotot, ‘teprica’ e djemve theksohet para se gjithash në vendbanimet shqiptare. “Dëshira e prindërve që të kenë pasardhës meshkuj, në mënyrë specifike vërehet te rrethi kulturor i shqiptarëve”, ka vlerësuar ky ekspert.
Kjo dëshirë megjithatë, sipas tij, nuk është tipike vetëm për myslimanët, por edhe për katolikët dhe ortodokset në Shqipëri.