I ftuar në studion e emisionit “Rudina” në televizionin “Klan”, regjisori dhe producenti Leonard Bombaj deklaroi se Shqipëria është në prag të thyerjes së një rekordi Guinness.
Siç bëri të ditur Bombaj, mëngjesin e së shtunës në orën 10:00, rreth 10 mijë të rinj do të mblidhen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku do të performojnë të famshmen “Cup Song”, një version a-cappella të këngës “When I’m Gone”, që interpretohet me ndihmën e një kupe. Dhe më e bukura është se kushdo që është i aftë të realizojë këtë performancë, mund të bëhet pjesë e projektit gjigand.
“E bukura e kësaj është se me anë të një tutorial-i mund të mësohet për 10 minuta, kështu që kushdo mund të marrë pjesë.”- u shpreh Bombaj. Ai shpjegoi se organizatorët e Rekordeve Guinness kanë rekrutuar 50 vëzhgues, që do të monitorojnë performancën.
“Një ngjarje e tillë sigurisht që promovon një mesazh pozitiv të Shqipërisë dhe mund të shfaqet në televizione të rëndësishmë ndërkombëtare si “BBC”, etj.”- tha Bombaj, i cili është një prej organizatorëve të projektit gjigand që synon të fusë Shqipërinë në listën e rekordeve botërore.