Të Hënën mblidhen në një komision të posaçëm mjekë, përfaqësues të Policisë së Shtetit dhe të Drejtorisë së Burgjeve. Siç raporton Klan News, ata do të vlerësojnë nëse 14-vjeçari që vrau bashkëmoshatarin e tij, duhet të transferohet në spitalin e burgut të Kavajës apo në qeli.
Po ashtu do të vlerësohet gjendja shëndetësore e të miturit, i cili aktualisht ndodhet i shtruar në një spital privat në Tiranë.
Ndaj 14-vjeçarit është caktuar masa e “arrestit me burg” nga Gjykata e Tiranës për akuzën e “vrasjes në rrethana cilësuese”, ndërkohë që ende nuk dihet sa vite heqje lirie do të jetë dënimi që ai do të vuajë. Ligji parashikon që për shkak të moshës ai të dënohet me deri në 12 vite burg.
Ngjarja e rëndë u shënua më 18 Nëntor pranë shkollës “Fan Noli” në kryeqytet. Një sherr për motive banale solli tragjedi. 14 vjeçari i mori jetën bashkëmoshatarit të tij, duke e goditur me thikë në zemër. I plagosur mbeti edhe shoku i viktimës. Rasti solli një sërë reagimesh e madje dhe protesta në formë sensibilizimi në mënyrë që autoritetet të marrin masa më të rrepta për të garantuar sigurinë e të miturve në shkolla.
Qytetarë të shumtë u mblodhën para Ministrisë së Arsimit me një sërë kërkesash, që nga dorëheqja e ministers Ogerta Manastirliu e deri te rritja e buxhetit për këtë fushë. Kreu i qeverisë deklaroi se kjo grupmoshë do të mbahet nën monitorim në ambientet e shkollave dhe jo vetëm, duke paralajmëruar se mund të merret vendimi për mbylljen e rrjeteve sociale si TikTok apo Snapchat.