Sida, katër raste të reja në Durrës
Ndonëse Durrësi si qytet port vlerësohet si një vend me rrezikshmëri të lartë të përhapjes së sëmundjes së shekullit, Sidës, kjo edhe për shkak të shtimit të numrit të popullsisë gjatë sezonit veror, statistikat e bëra publike nga drejtoria e spitalit të qytetit tregojnë ulje të rasteve. Rënia e numrit të të prekurve nga Sida sipas nëndrejtoreshës së spitalit rajonal Durrës, Lida Boshku, ka ardhur si pasojë e politikave sensibilizuese të ndjekura nga organizmat qeveritare, por edhe shëndetësore, me qëllim minimizimin e përhapjes së virusit. Sipas Boshkut edhe pse bëhet fjalë për një ulje të ndjeshme të numrit të të prekurve nga sëmundja e pashërueshme duhen marrë sa më shumë masa për parandalimin e saj pasi rreziku është evident. Për t’i thënë stop sëmundjes së shekullit, në ditën Ndërkombëtare të Luftës kundër Sidës, në qytetin bregdetar u zhvilluan një sërë aktivitetesh me pjesëmarrje të gjerë të të rinjve, aktivitete që sollën në vëmendjen e të gjithëve se kujdesi dhe sensibilizimi parandalon epideminë e rëndë që u merr jetën miliona individëve në botë. Katër rastet e fundit të diagnostikuara me HIV/AIDS në Durrës janë tre emigrantë, dy jetojnë në Itali dhe një në Bullgari, ndërsa shtetasi tjetër ka qënë një i huaj i cili kalonte tranzit në vendin tonë. Personat e prekur nga virusi sipas mjekëve të Durrësit, diagnostikohen në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë dhe po aty mjekohen në fazat e mëvonshme. Deri në vitin 2007 në Durrës rezultonin 14 të prekur nga virusi HIV, tre prej të cilëve kanë mundur t’i mbijetojnë sëmundjes së pashërueshme. Në ditën botërore të luftës kundër SIDES edhe mjekët kanë lëshuar apelin e tyre për më tepër kujdes ndaj marrjes së infeksionit të rëndë, i cili shpërndahet në rrugë seksuale, nëpërmjet transfuzioneve të gjakut dhe tek dentistët.
Instituti i Shëndetit Publik bën të ditur se të paktën 65 raste të reja me virusin HIV pozitiv janë identifikuar gjatë këtij viti në vendin tonë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të rasteve në 478. Sipas ISHP-së, të prekur nga virusi HIV janë 335 meshkuj, 143 femra, si dhe 24 fëmijë nën moshën 15 vjeç. 92% e rasteve të prekura rezultojnë të kenë marrë virusin në rrugë seksuale. Nga të dhënat e ISHP-së, 161 persona ndjekin aktualisht terapi në Qendrën Spitalore Universitare, mes të cilëve edhe 14 fëmijë. Ndërkohë, mësohet se në Shqipëri janë regjistruar 92 raste vdekjesh si pasojë e virusit. Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik u bëjnë apel të gjithë personave që mendojnë se kanë kryer marrëdhënie seksuale jo të sigurta të bëjnë testin HIV/AIDS dhe kryesisht nënave shtatzënë, në mënyrë që të merren masat e nevojshme për të shmangur lindjen e fëmijëve të prekur nga virusi.