Edicioni i shtatë i Festivalit Ndërkombëtar “Albania dance meeting” do të ngrejë siparin e tij mbrëmjen e 7 tetorit. Gjatë tetë ditëve të kësaj veprimtarie artistike do të ngjiten në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit gjashtë trupa pjesëmarrëse nga vende të ndryshme të Europës. Drejtori artistik i këtij eventi ndërkombëtar, Gjergj Prevazi, bëri të ditur se stacionet e tjera të këtij festivali përveç qytetit të Durrësit do të jenë dhe ato të Tiranës dhe Korçës.

Trupat pjesëmarrëse nga Italia, Norvegjia, Maqedonia, Kosova, Gjermania dhe trupa shqiptare e kompanisë “Albanian dance theatre company” është parashikuar të japin 10 shfaqje në teatrot e tre qyteteve, ku është planifikuar mbajtja e këtij edicioni. Si gjithmonë stacioni qendror do të jetë Durrësi, qyteti që e ndërmorri inisiativën e këtij festivali, unik në llojin e tij për vendin tonë.

Gjatë fjalës së tij, drejtori Prevazi nuk la pa përmendur vështirësitë financiare, por ai theksoi se cilësia artistike e edicioneve të mëparshme do të ruhet. “Ai ka krijuar një traditë të përvitshme dhe synon të bëhet arenë e shprehjes së aspiratave krijuese të artistëve nga vende të ndryshme”,- shtoi Prevazi. Trupa shqiptare do të performojë e para gjatë edicionit të këtij viti duke sjellë në skenë veprën “Dasma”.

Gjatë tetë ditëve të kësaj veprimtarie artistike do të ngjiten në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit gjashtë trupa pjesëmarrëse nga vende të ndryshme të Europës. Drejtori artistik i këtij eventi ndërkombëtar, Gjergj Prevazi, bëri të ditur se stacionet e tjera të këtij festivali përveç qytetit të Durrësit do të jenë dhe ato të Tiranës dhe Korçës

Ndërkohë gjatë ditëve të festivalit do të ketë edhe performanca solo nga artisti kosovar Labinot Rexhepi, ai shqiptar Ardit Logu si dhe kërcimtari maqedonas Kire Miladinovski. Premierë botërore për edicionin e sivjetshëm do të jetë spektakli “Ndeshje kulturash”, i cili do të realizohet përmes bashkëpunimit të artistes gjermane Katharina Machenka Horn me koreografin Gjergj Prevazi.

Interesante priten të jenë edhe dy premierat  e trupës italiane nga Verona “Ersilia danza”, që do të sjellë për publikun shqiptar veprën “Kësulëkuqja”. Festivali i Dancit që organizohet nga shoqata "Bukuroshja e Durrësit", me mbështetjen financiare të bashkisë Durrës, ka nisur në vitin 2006 dhe deri tani në skenat e teatrit të Durrësit dhe Tiranës janë përballur artistikisht trupa dhe kompani të teatrit alternativ nga Kosova, Maqedonia, Suedia, SHBA, Franca, Holanda, Turqia, Italia, Kroacia, Shqipëria, Izraeli, Hungaria, Sllovenia, Zvicra, Austria, etj.