“Dejvi Bregu ka arritur marrëveshje me Bolusporin”.

Kështu shkruan gazeta lokale turke, “Koroglu”, duke iu referuar burimeve të sigurta në klubin e Ligës së Parë, aty ku kanë luajtur në periudha të ndryshme në dekadën e fundit edhe lojtarë të njohur të kampionatit shqiptar, si Gilman Lika dhe Renato Arapi.

“Këpuca e Artë” e sezonit të kaluar vazhdon stërvitjen normalisht me Teutën në Ohër, ku prej ditësh skuadra durrsake po kryen një minifazë përgatitore në prag të përfaqësimit në Ligën e Kampioneve.

Mirëpo, ashtu siç është bërë publike tashmë nga vetë lojtari dhe drejtuesit e klubit durrsak, Bregu do të jetë me Teutën deri në përfundim të angazhimit të klubit në Kupat e Europës.

Në Turqi tashmë e bëjnë fakt të kryer akordin mes Bolusporit dhe sulmuesit vlonjat, teksa gazeta “Koroglu” shkruan që drejtuesit e këtij klubi e cilësojnë si të mbyllur marrëveshjen me shqiptarin.

Sipas të njëjtit burim, cilësohet se Bregu do të fuqizojë krahun e majtë të Bolusporit, që synon këtë sezon të ngjitet në Superligën turke. Kujtojmë se në verën e vitit të kaluar autori i 16 golave me Teutën priti të transferohej në Poloni, por akordi me Zaglebie Lubin dështoi në momentet e fundit.

Ndërkohë, i pyetur pak ditë më parë për të ardhmen, vetë Bregu është shprehur: “Kam pjekurinë e duhur, qoftë në moshë, karakter apo lojë, për të bërë atë hapin e madh dhe të luaj jashtë. Megjithatë, për momentin nuk ka asgjë konkrete. Jemi ende në qershor dhe gjërat do të duken në vazhdimësi”.