Ukrainë, 23 maj 2014 – Në Ukrainën lindore, dy ditë para zgjedhjeve të përgjithshme, edhe sot pati luftime mes separatistëve pro – rusë dhe forcave qeveritare. Dëshmitarët dhe zyrtarët e sigurisë në Kiev njoftuan për përleshje në qytetet Semenovka dhe Rubizhne, si dhe në rajonin Donetsk.
Trembëdhjetë trupa qeveritare u vranë dje në Donetsk nga një sulm i separatisteve, duke shkaktuar frikë në prag të votimeve të së dielës. Separatistët e armatosur vizituan disa qendra votimi dhe u dhanë urdhër zyrtarëve të zgjedhjeve të ndërpresin përgatitjet.
Në Ukrainën lindore, përgatitjet për zgjedhjet janë shoqëruar me luftime të përgjakshme ditët e fundit. Separatistët pro – rusë sulmuan një pikë kontrolli të qeverisë të enjten pranë qytetit Volnovakha, duke lënë 13 ushtarë ukrainas të vrarë dhe 32 të plagosur.
Vëzhguesit e zgjedhjeve thonë se vështirë që në këtë qytet të gjesh ndonjë qendër votimi që të jetë gati për zgjedhjet. Sipas tyre, një pjesë e personelit zgjedhor kanë thënë se janë tepër të frikësuar aq sa nuk u përgjigjen telefonatave.
Në klimën e tanishme, vështirë të përfytyrohet se zgjedhjet e së dielës mund të zhvillohen normalisht.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





