Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi ka mbajtur ditën e sotme konferencë për mediat në ambientet e gjykatës ku ka bërë bilancin për vitin 2023, si dhe ka listuar prioritetet për vitin 2024.

Gjatë fjalës së tij, Sadushi është shprehur se është ulur numri i çështjeve të prapambetura teksa ka shtuar se në vitin 2023 janë dhënë 7.848 vendime gjyqësore, nga të cilët 2.931 i përkasin Kolegjit Administrativ, 2.689 vendime të Kolegjit Civil dhe 2.228 vendime të Kolegjit Penal.

Referuar këtyre të dhënave, Sadushi thotë se çdo gjyqtar ka mbajtur për këtë vit një ngarkesë prej afro 440 vendime në vit, të cilën e quan një shifër rekord.

Fjala e plotë se kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushit:

Viti 2023 ishte tejet i ngarkuar, me sfida të panumërta, të mbartura nga e shkuara, me tension të natyrshëm, por dhe me suksese të spikatura. Plotësimi i Gjykatës së Lartë me 18 gjyqtarë ka bërë tërësisht funksionalë Kolegjet e Bashkuara, si trupë vendimmarrëse për ndryshimin e praktikës gjyqësore, ndërkohë që Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve ka përfunduar procedurën e zgjedhjes së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, si dhe të Kryetarit të Gjykatës së Lartë dhe Zëvendëskryetarit.

Tre vjet më parë, kur rifilloi funksionin me vetëm tre anëtarë, Gjykata e Lartë gjendej në një kolaps të plotë. Më lejoni t’ju them, se optimistët që besonin se situata do të kthehej në normalitet, ishin në pakicë. Premtimi i atëhershëm, sot është pjesë e realitetit dhe skeptikët, pak nga pak po heshtin dhe po pranojnë produktin e një pune absolutisht në kufijtë e të pamundurës.

Vetëm në harkun e tre vjet rimëkëmbjeje, numri prej 24.688 vendimesh ka tejkaluar backlogun, që rezulton i ulur ndjeshëm në 24.120 çështje. Ulja e numrit të lartë të çështjeve të prapambetura kërkon kohë dhe një strategji koherente e frytdhënëse, që falë bashkëpunimit me projektin që mbështetet nga Departamenti i Shtetit, Byroja për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit pranë Ambasadës së SHBA në Tiranë, ka rezultuar i sukseshëm.

Gjykata e Lartë po e kryen funksionin e dhënies së drejtësisë, përmes një metodologjie të qartë dhe një ritmi të lartë të punës së trupës gjyqësore dhe stafit mbështetës, me synim kryesor për të përçuar më tepër shpresë dhe besim te publiku. Raporte të ndryshme, me metodologji të ndryshme kanë arritur në një përfundim të përbashkët: Gjykata e Lartë cilësohet si institucioni më i hapur dhe më transparent brenda sistemit.

Qenia transparent dhe refuzimi i dyerve të mbyllura ka bërë që hermetizimi i diktuar nga tradita, të mbetet tashmë një e shkuar e largët. Jemi të bindur se kjo është udha e vetme që duhet ndjekur në komunikimin publik dhe një mënyrë për të garantuar autoritetin dhe legjitimitetin institucional, efektivitetin në gjykim dhe profesionalizmin e trupës, e cila ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e besimit publik.

Duke besuar se shpesh shifrat janë si fotot dhe siç thuhet me gjuhën e medias, fotoja e duhur vlen sa një mijë fjalë, po ju dëshmoj disa shifra lehtësisht të verifikueshme.

Për vitin 2023 janë dhënë 7.848 vendime gjyqësore, nga të cilët 2.931 i përkasin Kolegjit Administrativ, 2.689 vendime të Kolegjit Civil dhe 2.228 vendime të Kolegjit Penal.

Treguesi kryesor i performancës dhe efiçencës, referuar standardeve dhe praktikave më të mira të CEPEJ është norma e likujdimit të çështjeve, që përcaktohet nga raporti ndërmjet çështjeve të përfunduara dhe çështjeve të reja që regjistrohen. Gjykata e Lartë ka mbi 2 vjet që tejkalon standardin ndërkombëtar, duke arritur për vitin 2023, një normë të likujdimit të çështjeve prej afro 425%.

Gjatë këtij viti janë regjistruar 1.846 çështje të reja dhe sipas standardit ndërkombëtarë po kaq duhej të ishte edhe numri i vendimeve gjyqësore, ndërkohë që janë dhënë 7.848 vendime, pra, 4 herë më shumë se norma e rendimentit për gjyqtar. Referuar këtyre të dhënave, çdo gjyqtar ka mbajtur për këtë vit një ngarkesë prej afro 440 vendime në vit (një shifër rekord), ndërkohë që historikisht, në vitin e saj më të mirë dhe me më shumë këshilltarë ligjorë, Gjykata e Lartë shqyrtonte mesatarisht jo më shumë se 250 çështje në vit për gjyqtar. Këto janë të dhëna që dëshmojnë për përgjegjshmërinë e lartë të trupës gjyqësore për tu përballur, por edhe për të dalë nga kjo gjendje.

Shumë shpejt do të konstatoni se pasi të kemi përfunduar shqyrtimin e çështjeve që i përkasin viteve 2017-2018, si vitet me numrin më të lartë të çështjeve të regjistruara, nuk do të ketë çështje që tejkalojnë afatet e arsyeshme të gjykimit. Mjafton t’i referohemi numrit të vendimeve të dhëna nga viti 2020, për të qenë besimplotë se për një periudhë afro dy vjeçare, backlogu prej 24.000 çështjesh do të konsiderohet si një reminishencë e të shkuarës.

Efektiviteti është një tregues i mirë i performancës së gjyqtarëve dhe i prirjes për një ulje të backlogut, por rendja me nxitim pas shtimit të numrit të vendimeve nuk është qëllim në vetvete. Përtej sasisë së çështjeve, gjyqtarët mbeten të fokusuar veçanërisht tek cilësia e vendimmarrjes. Në këtë drejtim jemi të orientuar te shtimi i vendimeve për njësimin, zhvillimin e ndryshimin e praktikës gjyqësore. Gjatë vitit 2023 ka filluar procedura për 13 vendime njësimi (4 nga Kolegji Penal, 2 nga Kolegji Civil dhe 7 nga Kolegji Administrativ), ndërkohë që një pjesë prej tyre janë shpallur dhe të tjerat janë në proces arsyetimi. Vendime të strukturuara mirë profesionalisht, përmes të cilave zhvillohet dhe njësohet praktika gjyqësore e bëjnë shumë më eficent gjykimin dhe qëndrueshmërinë në vendimmarrjen e gjykatave më të ulta, duke garantuar stabilitet dhe siguri juridike në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Ky është dhe do të mbetet prioriteti ynë.

Gjatë vitit 2023, krahas shqyrtimit të çështjeve sipas kriterit kronologjik është ndjekur edhe një skemë përparësie, ku përfshihen rekurset e veçanta, çështjet e pezulluara, çështjet familjare, të pronës, masat e sigurimit pesonal, vendimet për ekstradime, etj, pa shmangur çështjet emergjente dhe me afate të shpejta gjykimi, në veçanti ato që i përkasin shtresave më vulnerabël të shoqërisë, sidomos pensionistëve, apo të larguarve padrejtësisht nga puna.

Heqjet dorë nga rekursi prej institucioneve publike ka vijuar edhe gjatë këtij viti, fenomen që është vënë re edhe te individët. Janë 468 kërkesa për heqje dorë nga rekursi, nga të cilat 384 i përkasin institucioneve publike dhe 84 individëve, të ndara në: 261 në fushën administrative, 177 në civile dhe 30 në penale. Kjo prirje nevojitet të shoqërohet edhe me mosparaqitjen e rekurseve të reja, që dukshëm rezultojnë të pabazuara.

Përherë e kam evidentuar si një problematikë shqetësuese numrin e lartë të rekurseve, të cilat nuk arrijnë të kalojnë testin e pranueshmërisë. E ndarë sipas fushave, për vitin 2023 nuk e kalojnë këtë test 36% e rekurseve në Kolegjin Civil, 70% në Kolegjin Administrativ dhe 70% në Kolegjin Penal. Por nëse do shohim raportin ndërmjet individëve/personave juridik privatë, nga njëra anë dhe organeve publike nga ana tjetër, rekurset e papranueshme në fushën administrative dhe civile i përkasin më tepër organeve publike. Për këtë vit, organet publike rezultojnë gjyqhumbëse në 70% të çështjeve administrative (1.441 çështje) dhe 73% të çështjeve civile (701 çështje). Individët/personat juridik privatë rezultojnë gjyqhumbës në 30% të çështjeve administrative (629 çështje) dhe 27% të çështjeve civile (263 çështje). Ky raport është i ndryshëm në fushën penale, ku prokuroria rezulton gjyqhumbëse në 33% të çështjeve (521 çështje), ndërsa individët rezultojnë gjyqhumbës në 67% të tyre (1039 çështje).  

Moskalimi i testit të pranueshmërisë adreson shqetësimin tek avokatët privat, Avokatura e Shtetit dhe prokuroria. Është e papranueshme për ata që prezumohet se kanë njohuri për ligjin, të vijojnë të paraqesin rekurse haptazi të pabazuara. Duhet të kuptohet qartë se përfundimi që nxjerrë Gjykata e Lartë për një rekurs haptazi të pabazuar nuk ka ndonjë dallim nga rasti, kur evidentohet kryerja e një veprimi abuziv nga avokati apo përfaqësuesi i shtetit, të cilët nuk mund dhe nuk duhet lënë pa u ndëshkuar, si nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, ashtu edhe nga Avokatura e Përgjithshme e Shtetit.

Mënyra se si paraqiten rekurset përbën një problem tepër serioz që dëshmon për nivelin e ulët profesional të përfaqësimit. Pavarësisht masave që merr Gjykata e Lartë, qoftë edhe me gjobitjen e avokatëve, paraqitet i domosdoshëm ndryshimi i mentalitetit juridik, por edhe kuptimi për mjetet e ankimit, në përgjithësi dhe rekursit, në veçanti. Avokatët duhet të kuptojnë se Gjykata e Lartë është një gjykatë ligji dhe jo një gjykatë fakti. Nevojitet që ata të ndjekin praktikën gjyqësore, me qëllim që të mos e investojnë Gjykatën për çështje të panevojshme, me rekurse të pasuksesshme dhe haptazi të pabazuara. Këtë e dëshmon më së miri procedura e seleksionimit të rekurseve e aplikuar nga Kolegji Administrativ që po jep rezultat pozitiv si në moslejimin e shtimit artificial të çështjeve, në orientimin e shpejtë të praktikës gjyqësore, por edhe në evidentimin e mungesës së profesionalizimit të përfaqësuesve ligjorë. Vetëm gjatë vitit 2023, nga ky proces seleksionues në fushën administrative janë vlerësuar haptazi të pabazuara 42% e rekurseve të paraqitura.

Përmes një procesi tepër transparent, me publikimin në kohë reale në faqen zyrtare të vendimeve dhe botimeve të posaçme, si dhe shpërndarjes periodikisht të buletinit informativ elektronik me vendimet e spikatura, një zgjidhje origjinale për sistemin gjyqësor dhe tepër e pëlqyeshme për praktikantët e së drejtës, Gjykata e Lartë po synon të bëjë më të mirën e mundshme.

Padyshim që është bërë shumë, por për qytetarët të cilët presin drejtësinë në kohë sa më të shpejtë nuk është mjaftueshme. Gjykata e Lartë vlerëson me vëmendje dhe trajton me seriozitet çdo kritikë cilësore që vjen nga media, shoqëria civile dhe opinioni publik. Jemi të ndërgjegjshëm për sfidat me të cilat përballemi dhe të bindur se ato nuk kapërcehen pa kontributin e të gjithëve.