Presidenti Ilir Meta doli në një konferencë për shtyp mëngjesin e kësaj të premteje për borxhin publik. Ai tha se niveli i borxhit ndër vite në vend mund të shkaktojë krizë të fortë.
Meta ka shmangur përgjigjen e drejtpërdrejtë për deklaratën e kryeministrit Edi Rama se do të futet bashkë me ish-kryeministrin Sali Berisha në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit.
I pyetur nga gazetarët nëse do të kemi një bashkim të tillë nën siglën e LSI në zgjedhjet lokale, Meta nuk dha përgjigje, por iu bëri thirrje të gjithë politikanëve në qeveri e opozitë që të përqendrojnë vëmendjen te rritja e borxhit publik, që sipas tij, është një kambanë alarmi për vendin.
“Duhet të gjithë të marrin seriozisht çështjen e situatës me borxhin, mos të bëjnë sikur nuk shikojnë, edhe faktorët që pretendojnë se janë në opozitë. Është në interes të një grupi të caktuar në qeveri, që ka kapur shtetin, për të fshehur të vërtetat. Është edhe në interes të një grupi oligarkësh, që përfitojnë shumë nga kjo situatë, por është një dramë në rritje për shumicën e familjeve shqiptare. Prandaj, shikoni këto tregues me qetësi, ku jemi ne, ku janë të tjerët këtu pranë nesh. Duhet të thellohemi të gjithë, sepse është borxhi i qytetarëve, që të mos përfundojmë si ndonjë vend tjetër e të dalim në falimentim.
Të heqim dorë nga gallatat me ekonominë, me financat, aq më tepër me borxhet. Është edhe Japonia që e ka borxhin shumë herë më të madh, por treguesit e Japonisë janë të tjerë dhe investitorët më të mëdhenj në botë luftojnë për ta blerë borxhin e Japonisë më shumë dëshirë. Koha e gallatës duhet të marrë fund dhe koha e ndëshkimit duhet të fillojë shumë shpejt. Jam i sigurt edhe për këtë çështje”.” , tha Meta.





