Sot Italia ka ulur flamurin në gjysmë shtizë dhe është në zi kombëtare për 281 viktimat, që u shkaktuan nga tërmeti që goditi të mërkurën pjesën qendrore të vendit. Katastrofa natyrore la pas 400 të plagosur dhe shkatërrim total.

Gjatë ditës së sotme priten të përcillen drejt banesës së fundit shumë prej viktimave të Arquata del Tronto dhe Pescara del Tronto, për t’u ndjekur më pas në orën 11.30 në Ascoli Piceno, nën prezencën e Kreut të Shtetit, Sergio Mattarella dhe kryeministrit, Matteo Renzi.

E ndërkohë qytetarët I ka kapur sërish paniku, pasi gjatë natës duke mbërritur e shtuna, ka patur sërish lëkundje tërmeti.

Dëmet materiale janë ende të pallogaritshme, pasi në pjesën më të madhe e zonave të goditura, shumica e godinave nuk ekzistojnë më.
Ndërkohë qeveria italiane vendosi të akordojë 50 milionë euro si fond emergjence, për përballimin e dëmeve të shumta.
“Rindërtimi i zonave të shkatërruara është prioriteti ynë”, -u shpreh kryeministri italian.

Shërbimet e emergjencës janë të gjitha ne gadishmëri, të plagosurit janë përcjellë në spitale, ndërsa për të pastrehët janë ngritur çadra.

Tërmeti 6.2 ballë i së mërkurës në mëngjes, i cili zgjati plot 20 sekonda, u ndje thuajse në gjithë Italinë nga Bolonja në veri e deri në Napoli në jug. Tërmeti I madh shkatërrues u shoqërua nga dhjetëra lëkundje të tjera.