Nga BIRN

Ato vijnë në Zvicër sepse dëshirojnë të kujdesen për bebushë të ëmbël. Gratë dhe vajzat shqiptare shpresojnë të marrin një pagë të mirë në një punë të këndshme, në një vend të sigurt, por përfundojnë në duart e trafikuesve të qenieve njerëzore.

Pjesa e parë: Udhëtimi i Lirijes

Ky hulumtim ka filluar para më shumë se 10 muajve, me shkas nga një artikull në një gazetë rajonale të Zvicrës. Një vajzë 19 vjeç nga Shqipëria paditi ish-punëdhënësin. 19-vjeçarja kishte punuar në të zezë si dado për një çift nga Zvicra me tre fëmijë. Por kushtet e punës i ngjanin skllavërisë. Veç kujdesit për fëmijët, 19-vjeçares i duhet të punojë 24 orë në 24, të lajë, të gatuaj, të pastrojë. Pagesa për gjithë këtë është vetëm 300 franga në muaj dhe në trajtim përfshihet rrahja. E që ajo të mos kishte asnjë shans të largohej, i kishin marrë pasaportën.

Çifti u gjet fajtor për akuzat e kërcënimit, shkeljes së Ligjit për të Huajt dhe Integrimin dhe trafik qeniesh njerëzore. Akuza e fundit na tërhoqi vëmendjen, sepse ndodh mjaft rrallë që dikush në Zvicër të dënohet për trafik njerëzish. Mesatarisht, gjykata shqyrton rreth 80 raste të tilla në vit. Kjo na shtyu të kërkojmë të mësojmë më shumë për vajzën e re dhe pas disa përpjekjeve, ajo pranoi të takohet me ne.

Kur filluam hulumtimin, ende nuk e kishim idenë se çfarë të panjohurash fshihen pas kësaj historie, as që historia e saj nuk është një rast i izoluar. Lirijen, siç po e quajmë për t’i ruajtur anonimatin, e takojmë në zyrën e avokates. Tani ajo është 23 vjeçe dhe jeton në të njëjtin qytet, pavarësisht se aty ka vuajtur shumë. Ajo nuk dëshiron të kthehet në Shqipëri. “Tani më lejohet të qëndroj në Zvicër dhe po kërkoj një banesë“, thotë ajo duke buzëqeshur me ndrojtje. Së shpejti ajo planifikon të mësojë një zanat.

Fytyra e saj ka tiparet e një fëmije, por kjo përshtypje është e rreme, pasi Lirija është luftarake, ndryshe nga sa duket nga jashtë. Kur flet për rininë e saj, ajo shpesh shikon me druajtje duart e veta.

Ajo u rrit në një qytezë të vogël të Shqipërisë. Pasi përfundoi shkollën, ajo ndihmonte të atin në dyqan dhe të ëmën në punët e shtëpisë. Fundjavave takohej me shoqet e kushërinjtë për kafe apo lëng frutash në qendrën e qytezës ku mblidheshin të gjithë. Bashkë me shoqet, ajo ëndërron për një jetë më të mirë, larg prej qytezës së varfër të lindjes.

Mungesa e perspektivës për to, është në fakt shembull i gjendjes së përgjithshme shpirtërore të shumë të rinjve shqiptarë. Ekonomia e dobët dhe zhgënjimi nga politika shtyjnë çdo vit dhjetëra mijëra të rinj nga Shqipëria drejt Evropës Perëndimore. Atje ata kryesisht punojnë në sektorë me paga të ulëta, si infermierë, në sektorin e hotelerisë apo atë të kujdesit të fëmijëve. Shumica e këtyre punëve janë pozicione të rregullta, por jo gjithmonë është kështu. Veçanërisht jo në biznesin e dadove, siç zbuluam gjatë hulumtimit tonë.

Prindërit e Lirijes nuk e shikonin të ardhmen e saj jashtë vendit, por pranë një bashkëshorti në Shqipëri. Dëshirat e saj për t’u arsimuar e ndoshta për të bërë karrierë nuk u përfillën prej prindërve. Sapo mbushi 18 vjeçe, Lirija u martua me një burrë të zgjedhur nga familja. “Nuk ishte i keq, por unë nuk e doja”, kujton ajo.

Lirija ndihej e shtypur, e burgosur në një martesë pa dashuri dhe me varësi financiare nga bashkëshorti.

Një mbrëmje, kur ishin duke pirë çaj, vjehrra i tregoi Lirijes për punën si dado në Zvicër. Paratë fitoheshin lehtësisht, ushqimi dhe strehimi ishin të përfshira. Nuk ishte e nevojshme të kishte shkollim dhe pas 3 muajsh mund të kthehej në shtëpi, kujton ajo t’i ketë thënë e vjehrra.

Kjo ishte një mundësi tunduese për Lirijen. Ajo kërkoi në Instagram me fjalët “dado” dhe “Zvicër” dhe shpejt gjeti një faqe me reklama. Në reklama premtohej sistemimi i shpejtë në një familje zvicerane dhe një pagë e mirë. Me këtë në mendje, ajo ndërtoi fshehurazi një plan që t’i shpëtonte situatës së saj të pashpresë dhe t’i kthente shpinën Shqipërisë. Ajo dëshironte të kishte përsëri një zgjedhje, të vendoste vetë se si duhet të ishte jeta e saj, edhe pse kjo mund të nënkuptonte se duhej të jetonte larg vendlindjes përgjithmonë.

Ajo nuk e njihte Zvicrën, por shpresonte të gjente aty mundësitë që i ishin mohuar më parë në Shqipëri: arsimim, një punë, shtëpinë e saj dhe një partner që ajo e zgjedh vetë.

Ajo nuk priste që puna e dados, bileta e saj e supozuar e lirisë, do të kthehej në një makth dhe që sapo të mbërrinte në Zvicër do të binte në kthetrat e trafikantëve të qenieve njerëzore.

“Trafikimi i qenieve njerëzore është skllavëri moderne”, shkruan Fedpol, Zyra Federale e Policisë Zvicerane, në faqen e saj të internetit. Është tronditëse sa shumë Lirija i ngjan viktimës tipike që përshkruan Fedpol.

Iris Luarasi, pedagoge e gazetarisë dhe eksperte për të drejtat e grave në Shqipëri, thotë se shumica e grave dhe vajzave që u përgjigjen reklamave të tilla e dinë që shpesh puna nuk ishte e ligjshme. “Por nëse je e papunë në shtëpi çdo ditë, perspektiva për të gjetur një punë si dado në Zvicër është shumë e mirë”, thotë Luarasi. Ajo shpjegon se shqiptarët ishin mësuar të duhej të punonin në të zezë për të siguruar bukën e gojës, qoftë në Shqipëri apo në një nga vendet fqinje si Greqia e Italia. “Pra, vetëm për shkak se diçka nuk duket plotësisht e ligjshme, nuk do t’i pengojë ata dhe as do t’i bëjë të dyshojnë”, thotë ajo.

Pjesa 2: Agjencia

Lirija tha para gjykatës zvicerane se ajo ishte rekrutuar përmes rrjeteve sociale. Kështu që edhe ne regjistrohemi. Fillimisht në Facebook, më pas në Instagram. Një nga faqet e para që gjejmë quhet thjesht “Babysitter në Zvicër”. Faqja është plot me reklama dhe me ilustrime fëmijësh të lumtur, arusha prej pelushi dhe tullumbace. “Në Solothurn kërkohet urgjentisht një dado për dy fëmijë, gjashtë dhe katër vjeç. Pagesa: 600 franga në muaj.”

Ne gjejmë dhjetëra llogari të tilla, secila me nga mijëra ndjekës dhe me postime të reja çdo ditë. Ato të krijojnë përshtypjen e një agjencie profesionale, por asnjëra prej tyre nuk është e regjistruar si e tillë në Zvicër. Mes komenteve, gra të reja dhe të moshuara shkruajnë: “Më pëlqejnë fëmijët dhe kam përvojë kujdesi. Ku mund të aplikoj?”

Nga kjo, ne kuptojmë që rasti që po ndjekim mund të mos jetë i vetmi dhe Lirija nuk është e vetmja viktimë.

Pas hulumtimit në rrjete sociale dhe dokumente gjyqësore, ne gjurmuam disa gra që kishin përvoja të ngjashme me Lirijen.

Edhe pse duan të na tregojnë historinë e tyre, ato kanë frikë dhe në asnjë rrethanë nuk duan të identifikohen. Ndonjëherë ato ende kanë frikë nga autorët e trafikimit, ose janë ende në kontakt me ta.

Trafikimi i qenieve njerëzore përfshin një rrjet kompleks varësish psikologjike, fizike dhe financiare. Turpi se u mashtruan apo për atë që lejuan t’u ndodhte është i ngulitur thellë mes të prekurave. Ato shpesh u tregojnë të afërmve të tyre vetëm gjysmën e së vërtetës. Prandaj i kemi anonimizuar emrat e tyre dhe u kemi ndryshuar detajet identifikuese. Historitë e tyre tregojnë sistemin që trafikantët e dadove nga Zvicra përdorin për të vepruar.

Në Tiranë, takojmë Klaudian për një kafe buzë liqenit në një pasdite me diell. Ajo ka veshur një xhaketë elegante lëkure me mëngët të përveshura dhe buzëqesh gjerësisht. “Më pëlqen të vij këtu kur punoj nga shtëpia”, thotë ajo. Sot ajo punon si zyrtare publike dhe puna që bën i pëlqen. Shtatë apo tetë vjet më parë ajo ishte në Zvicër si dado. Ajo ishte me fat. Pas muajve të kërkimit tonë, ajo është e vetmja grua që ka vetëm gjëra të mira për të thënë për eksperiencën e saj në Zvicër.

Në atë kohë, Klaudia sapo kishte përfunduar studimet në Tiranë dhe donte të kalonte kohën derisa të gjente një punë të përshtatshme. Rastësisht, ajo hasi në një reklamë të një familjeje zvicerane: “Isha kurioze dhe doja të shihja diçka jashtë Shqipërisë.”

Ajo nuk e mendoi gjatë propozimin. “U shkrova, dy javë më vonë udhëtova për në Zvicër. Fillimisht udhëtova me traget për në Itali, më pas drejt veriut. Në minibus ishin katër-pesë gra të tjera. Kjo më qetësoi”, thotë ajo.Klaudia qëndroi tre muaj në Zvicër. “Familja më merrte me vete në udhëtime dhe më tregoi Zvicrën”, thotë ajo. Ajo kujton se kishte një marrëdhënie të mirë me të zonjën e shtëpisë. Ato pinin kafe së bashku ose gatuanin ushqime tradicionale shqiptare.

Vetëm disa muaj pas kthimit të saj në Shqipëri, Klaudia mësoi nga të njohurit se operatorët e faqeve në Facebook, ku reklamohej punësimi si dado, nisën të kërkonin para nga gratë e interesuara. Fillimisht 50 euro, pastaj 100. “Ata pretendojnë se kjo përdoret për të kontrolluar familjet pritëse për të parë nëse janë të mirë.” Klaudia mbledh supet: “Unë nuk e besoj këtë.”

Sot ajo nuk do të përfshihej më në diçka të tillë. “Por atëherë, me paratë që fitova, munda të blija një makinë”, thotë ajo. Më pas merr celularin nga tavolina dhe na tregon fotot e një vajze të vogël: “Kjo është e vogla. Ajo është shumë e ëmbël.”

Me kalimin e viteve, natyra e reklamave në mediat sociale për punësim dadosh ka ndryshuar. Fillimisht ishin kontakte të drejtpërdrejta. Më pas, operatorët e faqeve, me sa duket, e kuptuan se mund të bënin para me këtë mjet. Që atëherë, një tarifë e vogël kërkohet si garanci, që sigurisht nuk është garanci për asgjë.

Së fundmi, ky biznes i paligjshëm u bë më “profesional”. Grave të interesuara u kërkohet tani të paguajnë paradhënie për udhëtimin, për një pasaportë false apo edhe u premtohen kontrata. Ashtu si në ekonominë e ligjshme, edhe këtu ka ofrues shërbimesh shtesë si falsifikuesi i pasaportave apo udhërrëfyesi. Tani po shfaqen reklama edhe për kameriere dhe kërcimtare. “Unë mund t’ju sjell gra nga Bullgaria”, shkruan dikush në një koment poshtë një reklame të tillë.

Gjatë hulumtimit tonë, zbuluam se ka disa grupe të vogla në Zvicër që sjellin gratë në vend si dado. Biznesi nuk duket të jetë ende në duart e një organizate të vetme. Një mafia e tillë do të ishte hapi klasik i përshkallëzimit në fushën e krimit të organizuar.

Shpresa nuk dinte asgjë për të gjitha këto. Dhe ne nuk dinim shumë për ta, sepse asnjëherë nuk arrijmë t’i njohim personalisht personat pas skenës. Për Shpresën dëgjuam nga një koleg gazetar. “Hej. Ju po hulumtoni trafikun e qenieve njerëzore të dadove shqiptare, apo jo? Sot në gjykatë kemi një çështje gjyqësore për këtë temë”, na shkroi ajo përmes WhatsApp-it një mëngjes.

Pa u menduar gjatë, udhëtuam në një qytet të vogël zviceran. Seanca e apelit do të zhvillohet në sallën e gjyqit. Përveç nesh, të vetmit në sallë janë të pandehurit – burrë e grua – gjyqtari, ndihmësi i tij dhe një gazetar tjetër. Asgjë interesante, mendojmë në fillim.

Çifti ishte dënuar në shkallë të parë për “punësim të të huajve pa leje”, e ka ankimuar vendimin. Të dy janë rreth 40 vjeç, duken të stresuar dhe të dëshpëruar dhe nuk kanë as avokat as mbrojtës publik. Ajo punon si shitëse përmes telefonit, ai punon si mekanik. Të dy kanë të ardhura mujore familjare prej rreth 6,500 frangash për veten dhe katër fëmijët e tyre.

“E njohëm kur ishim me pushime në Shqipëri”, thonë ata për dadon. Historia që ata tregojnë më pas nuk është dhe aq e qartë, por gjykata duket se është e kënaqur me të. Në fund atyre u jepet pafajësi.