9 korrik 2015 – Fenomeni i vjedhjes së kapakëve të pusetave në rrugët tona ka marrë përmasa të frikshme, madje duke mos kursyer as rrugët kryesore dhe zonat turistike.
Në aksin rrugor Plepa – Përroi i Agait mungojnë tërësisht kapakët e pusetave në rrugë e trotuare, ato të kanalizimeve të ujrave të bardha në rrugë dhe ato të instalimeve të ndryshme të gjendura në trotuar, madje këto të fundit me përmasa edhe më të mëdha se të parat, duke rrezikuar seriozisht jetën e kalimtarëve të shumtë që frekuentojnë këtë aks rrugor.
Si të mos mjaftonte, kjo situatë absurde që ndeshet jo vetëm këtu, por rëndom në rrugët të ndryshme, një tjetër panoramë e shëmtuar të shfaqet papritur me kazanet e mbledhjes së mbeturinave, aspak e denjë për një qytet turistik si Durrësi. Kazanë plehrash të tejmbushur, ku plehrat dhe mbeturinat “marrin dhenë” duke u përhapur në një territor më të gjerë.
Kjo neglizhencë e strukturave përgjegjëse jo vetëm ofron një kartolinë të shëmtuar për qytetin tonë, por njëkohësisht dëmton rëndë turizmin në qytetin bregdetar.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





