Tre mjekë në spitalin e Fierit janë pezulluar nga detyra për neglizhencë në trajtimin mjekësor. Prokuroria e Fierit njoftoi këtë të premte se rasti lidhet me vdekjen e një personi, ngjarje e ndodhur më 3 Shkurt të vitit 2022.

“Nga hetimi i kësaj çështje ka rezultuar se, më datë 03.02.2022, salla operative është njoftuar se në spitalin e Patosit është dërguar pa shenja jete shtetasi A.Sh. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se, i ndjeri kishte shkuar në spitalin Patosit në orët e para të mëngjesit dhe më pas është dërguar me ambulancë në Urgjencën e Spitalit Rajonal Fier dhe më pas është kthyer në Patos ku është ulur në një lokal dhe ka ndërruar jetë.

Është marrë informacion për mjekët e turnit që ndodheshin në zyrën e mjekëve dhe nëse shtetasi A.Sh është paraqitur në orët e para të mëngjesit i shoqëruar nga ambulanca e Patosit me dhimbje gjoksi. Për këtë fakt, mjekët kanë mohuar dijeninë në lidhje me rastin dhe faktin që i ndjeri të jetë paraqitur në turnin e tyre”, – njoftoi prokuroria.

Prokurorët thonë se kanë administruar aktin e ekspertimit mjekoligjor, ku është arritur në përfundimin se nga ana e personelit mjekësor që ka trajtuar rastin gjenden elementë të neglizhencës mjekësore që kanë ndikuar drejtpërdrejtë në ardhjen e pasojës.

“Për sa më sipër, ekziston dyshimi i arsyeshëm që mjekët kanë neglizhuar në trajtimin e duhur të rastit, duke sjellë si pasojë vdekjen e të ndjerit”, – njoftoi prokuroria.

E për këtë arsye mbi kërkesën e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, Gjykata me vendimin nr. 62-2024-6773 datë 21.12.2024 vendosi caktimin e masës së sigurimit për tre persona.

1.Caktimi i masës së sigurimit me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre apo shërbimit publik”, parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale ndaj shtetasit B.Dh, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor” parashikuar nga neni 96/2 i Kodit Penal.

2.Caktimi i masës së sigurimit me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre apo shërbimit publik”, parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale ndaj shtetases I.Ç, si e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor” parashikuar nga neni 96/2 i Kodit Penal.

3.Caktimi i masës së sigurimit me karakter shtrëngues “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale ndaj shtetasit K.J, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor” parashikuar nga neni 96/2 i Kodit Penal.