Presidenti Ilir Meta, në një konferencë për shtyp këtë të martë, i kujtoi ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati, Kryeministrit Edi Rama dhe të gjitha institucioneve se vendimi i Gjykatës Kushtetuese pas marrëveshjes së vitit 2009, është vija e kuqe e detyrueshme për t’u zbatuar në negociatat me Greqinë për detin. 

“Kushtetuta dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese mbi këtë çështje, janë jo vetëm për Presidentin e Republikës, por për të gjitha institucionet shqiptare të përfshira në këtë proces, vija e kuqe e detyrueshme për zbatim.  

Presidenti nuk mund të vihet para faktit të kryer nga askush, nuk mund të ndikohet nga asnjë axhendë e brendshme apo ndërkombëtare, në raport me Kushtetutën. Institucioni i Presidentit nuk ka asnjë informacion zyrtar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme lidhur me diskutimet që janë bërë me Ministrinë e Jashtme të Greqisë. Jo vetëm kaq, por ia kam bërë të qartë ministrit (Bushati), që për këtë çështje kaq të rëndësishme të ecurisë së marrëdhënieve me Greqinë, bashkëpunimi do të jetë vetëm zyrtar, për të evituar çdo lloj spekulimi, keqkuptimi dhe përgjegjësie të pamerituar. Edhe sot e kësaj dite nuk ka asnjë informacion”, tha Meta

Ai tha se “u detyrova sot jashtë dëshirës sime të bëj publike përgjigjen për Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, me qëllim qartësimin e opinionit publik për këtë çështje mjaft të rëndësishme, më e debatuara e dekadës së fundit.”

Meta theksoi mbështetjen dhe angazhimin për një zgjidhje të drejtë dhe përfundimtare të kësaj çështjeje, “prandaj duhet transparencë e plotë nga të gjitha institucionet.”

“Me këtë rast, dua të nënvizoj se sjellja dhe kontributi i Presidentit do të jetë i bazuar vetëm në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese për hapësirat detare mes Shqipërisë dhe Greqisë.”