Me nisjen e sesionit të ri parlamentar, mazhoranca po shënon një kthesë nga qëndrimi i saj gjatë muajit gusht sa i takon kufizimit të imunitetit. Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve u ra dakort javën e shkuar që në kalendarin 3-javor të punimeve të Kuvendit të futen propozimet e Partisë Socialiste për ndryshimet kushtetuese. Diskutimet për këto ndryshime pritet të nisin me 6 shtator në mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit.

Vendosmëria e mazhorancës për të hequr me çdo rrugë ligjore imunitetin e zyrtarëve dhe gjyqtarëve u theksua nga kryeparlamentarja Jozefina Topalli e cila në një prononcim për mediat e akuzoi liderin e opozitës Edi Rama për bllokimin e një sërë ligjesh dhe reformash, me qëllim pengimin e statusit të vendit kandidat në BE. 

“Për ne rëndësi kapitale ka pasur dhe ka heqja e imunitetit dhe jo rrugët e heqjes së tij”,- tha ajo. Më tej ajo theksoi edhe keqardhjen e saj që nisma e mazhorancës për heqjen e imunitetit nuk gjeti përkrahjen e opozitës në seancën parlamentare të 6 gushtit.

“Sigurisht që kam qenë e trishtuar që mbyllja e sesionit më datën 6 gusht u bë përmes një refuzimi apo një bllokimi, për të votuar një draft të shkruar nga vetë opozita. Ky ishte një mesazh i keq që i dërgohej shqiptarëve, komunitetit ndërkomëtar në luftën kundër korrupsionit. Ky ishte një mesazh që nuk i takon asnjë deputeti ta marrin përsipër si një qendrim ndaj një privilegji që kërkon t’i japë, ta mbajnë për veten e tyre. Por sigurisht që për ne ka patur dhe ka rëndësi kapitale heqja e imunitetit dhe jo rrugët e heqjes së tij prandaj dhe ne kemi qenë dhe jemi të vendosur të ndjekim të gjitha rrugët ligjore dhe kushtetuese për të arritur qëllimin që është heqja e imunitetit”,- tha Topalli.

Nga ana tjetër lideri i opozitës, Edi Rama, ka shprehur gatishmërinë e PS-së për të mbyllur këtë reformë brenda muajit shtator në mënyrë që në tetor t'i hapet rruga mundësisë për marrjen e statusit kandidat për anëtarësimin në BE.

Kryetarja Topalli njoftoi nisjen e sesionit te ri parlamentar, sot në datë 3 shtator. Në axhendën e punimeve të kuvendit për këtë sesion pritet të jenë një sërë ligjesh të rëndësishme, pjesë e 12 kritereve të vendosura nga Bashkimi Evropian, ku ndër të tjera është ligji për Gjykatën e Lartë, Ligji për Imunitetet dhe nisma e Partisë Socialiste për disa ndryshime në Kushtetutën e vendit.