Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndikimin e nevojshëm për ta detyruar Rusinë të ndalë luftën, në një kohë kur përfaqësues të Moskës dhe Kievit pritet të zhvillojnë një raund të ri bisedimesh në Majami.
“Unë besoj se SHBA-ja dhe Presidenti Trump e kanë këtë fuqi. Nuk mendoj se duhet të kërkojmë alternativa të tjera përveç Shteteve të Bashkuara”, u shpreh Zelensky, duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve pas deklaratës së presidentit francez Emmanuel Macron, i cili sugjeroi se Europa duhet të nisë dialog të drejtpërdrejtë me Rusinë nëse përpjekjet e Uashingtonit dështojnë.
Zelensky bëri të ditur se Ukraina është e gatshme të mbështesë iniciativën amerikane për bisedime trekëndëshe mes Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së, nëse një format i tillë do të ndihmonte në shkëmbimin e të burgosurve të luftës dhe në hapjen e rrugës për një takim në nivel udhëheqësish.
“Shtetet e Bashkuara po propozojnë një takim trekëndësh të këshilltarëve për sigurinë kombëtare. Nëse ky takim sjell rezultate konkrete, si shkëmbimi i të burgosurve apo një marrëveshje për një samit të liderëve, ne do ta mbështesim”, tha presidenti ukrainas, duke shtuar se mbetet skeptik nëse një takim i tillë mund të prodhojë risi reale.
Ai theksoi gjithashtu se Uashingtoni duhet të rrisë presionin ndaj Moskës. “SHBA duhet ta bëjë të qartë se, nëse nuk ka zgjidhje diplomatike, atëherë do të ketë presion maksimal”, deklaroi Zelensky, duke përmendur si opsione rritjen e ndihmës ushtarake për Ukrainën ose zgjerimin e sanksioneve ndaj ekonomisë ruse.
Në fund, Zelensky nënvizoi se një kompromis i mundshëm mes palëve mund të ishte ngrirja e luftimeve përgjatë vijave aktuale të frontit, por theksoi se kontrolli i Ukrainës mbi pjesën e Donbasit që nuk është e pushtuar mbetet një parim i panegociueshëm për Kievin. Sa i përket idesë së krijimit të një zone ekonomike të lirë në Donbas, ai tha se një vendim i tillë do t’i takojë popullit ukrainas.





