Presidenti i Republikës Ilir Meta ka reaguar pas vendimit për shtyrjen e hapjes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, në qershor të vitit të ardhshëm. 

Në një deklaratë për mediat, Meta thotë se "ne të gjithë duhet ta vlerësojmë dhe çmojmë vullnetin pozitiv me të cilin si Komisioni Evropian ashtu edhe të gjitha vendet anëtare, e mirëpresin procesin e integrimit të Shqipërisë dhe gjithë rajonit në BE. Kjo qasje duhet të na nxisë për një lexim të drejtë dhe realist të sfidave serioze që kemi përpara, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit."

Presidenti thekson më tej se një vit kalon shpejt, ndaj duke pasur parasysh provimin e qershorit kërkon bashkëpunim dhe përgjegjësi nga palët.

"Provimi ynë i qershorit të ardhshëm do të jetë shumë i vështirë e kërkues pasi edhe vetë Bashkimi Evropian do të ketë provimin e tij zgjedhor në të njëjtën kohë. Ndaj, i ftoj të gjithë për përqendrim, përgjegjësi dhe bashkëpunim", deklaron Meta.