Sulmuesi brazilian Nejmar është prezantuar sot zyrtarisht para mediave si futbollisti më i ri i PSG-së. Transferimi më i shtrenjtë i historisë së futbollit, plot 222 milionë euro të paguara për të në arkat e Barcelonës, tha para gazetarëve se nuk ndikohet aspak nga paratë dhe se PSG-ja ishte një zgjedhje me zemër. Ai do të paguhet 30 milionë euro në sezon.“Nuk më kanë interesuar kurrë paratë. Nëse dikush mendon që ndryshova ekipin për para, atëherë nuk më njeh.
Nëse do të më interesonin, do të kisha shkuar diku tjetër dhe jo këtu. Motivimi im është lumturia personale dhe e familjes sime”, tha fillimisht Nejmar.“Nuk kam presion pavarësisht kostos së kësaj lëvizjeje. Peshoj 69 kilogramë dhe nuk kam asnjë tjetër mbi shpatulla. Nuk kam folur më parë sepse ishte diçka e komplikuar për mua që të flisja. Vendosa të flas vetëm pasi u vendos 100% dhe jam shumë i lumtur sepse ky ishte një transferim që ma kërkoi zemra.Te Barcelona bëra histori dhe e ndihmova ekipin në mënyrën më të mirë të mundshme. Kam shumë dashuri dhe respekt për tifozët katalanas, por nuk mund t’i kënaq të gjithë”, sqaroi ai.