Në galerinë e arteve pamore "Nikolet Vasia" të qytetit të Durrësit është prezantuar ekspozita e skulptorit, piktorit dhe restauratorit, Nelo Lukaçi.
Në ceremoninë e hapjes merrnin pjesë emra të njohur të artit durrsak, intektualë, miq dhe të afërm. Të pranishmit vlerësuan jo vetëm punimet e ekspozuara, por të gjithë krijimtarinë artistike të Lukaçit.
Tematika e larmishme dhe mesazhet e shumëfishta të veprave të paraqitura kanë ngjallur që në ditën e parë, interesin e qytetarëve durrsakë. Piktura dhe gdhendja ishin dy shtyllat kryesore, mbi të cilat ishte ngritur kjo ekspozitë.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 30 korrik, duke i krijuar mundësi dashamirësve të artit në qytetin bregdetar, të shijojnë punimet e një emri te njohur, të pikturës dhe skulpturës shqiptare, siç është ai i Nelo Lukaçit, që me punimet e tij vazhdon të emocionojë dhe befasojë.