Apeli i Gjykatës së Posaçme ka lënë në fuqi vendimin e dhënë nga Shkalla e Parë për avokaten Elona Berki dhe Zef Gjelajt të akuzuar për korrupsion.
Apeli vendosi që të lërë në fuqi vendimin e dhënë më 11 mars 2025 nga GJKKO, e cila e dënoi avokaten Berki me 2 vite burgim për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Por në aplikim të gjykimit të shkurtuar ajo u la përfundimisht në shërbim prove për 4 vjet. Po ashtu asaj iu hoq e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vjet.
Zef Gjelaj u dënua me 8 muaj burg gjithashtu për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, por në aplikim të gjykimit të shkurtuar, u pezullua dënimi dhe u la në shërbim prove për 16 muaj.
Gjykata vendosi që të pezullojë çështjen për Roland Koçanin pasi ka ndërruar jetë.
Njoftimi i Apelit te GJKKO:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Florjan Kalaja (kryesues), Nertina Kosova (anëtare) dhe Tereza Merkaj (anëtare), sot më 09.04.2026, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 1/55 akti, datë 08.07.2025 regjistrimi, mbi ankimet e të pandehurve E.B dhe R.K, ndaj vendimit nr. 23, datë 11.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe vendosi:
1. Lënien në fuqi të vendimit nr. 23, datë 11.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për të pandehurit znj. E.B dhe z. Z.Gj. 2. Prishjen e vendimit nr. 23, datë 11.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe pushimin e çështjes penale për të pandehurin z. R.K.
3. Shpenzimet procedurale të gjykimit në apel i ngarkohen të pandehurës E.B.
4. Kundër këtij vendimi mund të ushtrohet rekurs në Gjykatën e Lartë sipas ligjit. U shpall në Tiranë, më datë 09.04.2026.





