6 pasuritë e sekuestruara ditën e sotme nga Prokuroria e Durrësit janë në pronësi të biznesmenit Gëzim Sallaku.

Prokuroria njoftoi se sekuestrimi i pasurive të Sallakut është bërë me kërkesë të autoriteteve italiane, nën akuzë për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Sipërmarrësi shqiptar Gëzim Sallaku, ish-pronar i klubit të futbollit “Darfo Calcio”, u dëbua nga autoritetet italiane më 19 shkurt 2021 pasi policia e Brescia e konsideroi atë person të padëshiruar dhe të rrezikshëm.

Në qershor 2021 policia shqiptare sekuestroi pasuri me vlerë rreth 3 milionë euro, në pronësi të biznesmenit Gëzim Sallaku, vëllait të tij Saimir Sallakut dhe një personi tjetër, me të cilin dy vëllezërit kanë lidhje shoqërore, i identifikuar si Rabi Kurti.

Ndërkohë, një pasuri me vlerë mbi 5.8 milionë euro i është sekuestruar edhe në Itali.

Pasuritë e sekuestruara ditën e sotme:

– Pasuri e paluajtshme e tipit apartament me sipërfaqe 48.8 m2 në emër të G.S dhe S.H.;

– Pasuri e paluajtshme e tipit apartament me sipërfaqe 330 m2, e regjistruar në emër të G.S. dhe S.H.;

– Pasuri e paluajtshme e llojit arë, me sipërfaqe 12,710 m2, blerë nga G.S.;

– Pasuri e paluajtshme e llojit arë, me sipërfaqe 7.890 m2, në emër të shtetasit A.L., blerë nga G.S;

– Pasuri e paluajtshme e deklaruar për legalizim në emër të shtetasit G.S, objekt 3-katësh, me sipërfaqe ndërtimi 140 m2, ndërtuar në truall 300 m2; dhe

– Pasuri e paluajtshme e deklaruar për legalizim, në emër të shtetasit S.S., objekti 2 kate, me sipërfaqe ndërtimi 140 m2, ndërtuar në një sipërfaqe trualli 500 m2.

Vlen të theksohet se në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, është regjistruar procedimi penal në vitin 2014, i rifilluar në vitin 2018, që bën fjalë për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287 të Kodit Penal. Në interes të këtij procedimi, me vendimin të vitit 2021, është vendosur caktimi i masës së sigurimit pasuror “Sekuestro Preventive”, për pasuritë e shtetasit G.S., etj, ku bëjnë pjesë edhe pasuritë e mësipërme. Në përfundim të hetimeve është marrë i pandehur shtetasi G.S., etj, dhe kjo çështje penale është sjellë për gjykim më shkresën në vitin 2023.