TIRANE, 22 mars 2013 – 13 punonjës të burgut të Fushë-Krujës kanë paraqitur diploma të falsifikuara të shkollës së mesme, në momentin kur kanë aplikuar për punë. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve ka kërkuar nisjen e procedimit penal për 13 punonjës të Burgut të Fushë-Krujës, që kishin mashtruar me diplomat.

Burime zyrtare nga Drejtoria e Burgjeve bëjnë të ditur se “SHKBB, pas një sërë të dhënash që dispononte në lidhje me punësimin e parregullt të një grupi punonjësish policie në IEVP në Fushë-Krujë, ngriti një grup hetimor me objekt verifikimin e diplomave të shkollave të të gjithë punonjësve të këtij institucioni. Nga verifikimet dhe veprimet procedurale të kryera, grupi hetimor dokumentoi se 13 punonjës policie kishin depozituar në Burgun e Fushë-Krujës diploma të falsifikuara. Me anë të tyre kishin siguruar vendin e punës prej vitesh”.

Pas konstatimit të këtyre rasteve Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve ka kërkuar nga prokuroritë e Tiranës dhe Krujës nisjen e hetimit për 13 gardianët dhe lirimin e tyre nga detyra.

Ata akuzohen për konsumimin e veprës penale “falsifikim i dokumenteve shkollore”. Pas verifikimeve të kryera në burgun e Fushë Krujës kontrollet po vazhdojnë në të gjitha institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale në vend.

/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/