Tiranë, 30 korrik 2014 – Dy femra kanë nisur të hetohen nga policia, pasi u përleshën me njëra-tjetrën dhe mbetën të lënduara.
Ngjarja ndodhi ditën e djeshme në Tiranë kur Bajame Sh., 47 vjeçe dhe Manjola B., 28 vjeçe kanë nisur një sherr për motive të dobëta. Dy komshijet që banonin në të njëjtin pallat prej ditësh kapeshin me fjalë, por asnjëherë gjërat nuk kishin shkuar më tej.
Një ditë më parë, ato kanë ofenduar njëra-tjetrën në shkallët e pallatit dhe më pas janë përleshur.
Mësohet se sherri mes tyre ka nisur për shkak se e reja pretendon se 47-vjeçarja merret me jetën private të vajzës dhe trillon thashetheme për të. Policia bën me dije se vajza ka dëshmuar para forcave blu se prej kohësh 47-vjeçarja e ruante në dritare se ku hynte dhe ku dilte vajza.
"Sa herë që ngjis apo zbres shkallët, ajo hap derën, del në dritare dhe nuk më lë të qetë", mësohet se është shprehur 28- vjeçarja në polici. Përveç kësaj, ajo ka deklaruar se 47-vjeçarja Bajame Sh. nuk merret vetëm me vëzhgimin e veprimeve që ajo bën në jetën e përditshme, por ka thurur edhe intriga rreth meje. Kam hall të dal nga shtëpia. Ka mbushur gjithë pallatin me fjalë për mua",ka deklaruar Manjola B.
Si pasojë e përleshjes dy femrat kanë marrë lëndime në pjesë të ndryshme të trupit. Secila kreu denoncim përkatës në polici dhe për këtë u morën në pyetje nga hetuesit. Për të dyja femrat policia nisi procedimin penal në gjendje të lirë.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





