Është shtyrë seanca paraprake në GJKKO për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ish-zv.ministrin Klodian Rjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj biznesmen, të cilët janë nën hetim për koncesionin e sterilizimit.
Seanca do të zhvillohet në datën 3 qershor në orën 09:00. Shkak për shtyrjen është bërë mosnjohja e të pandehurve me të gjitha aktet e dosjes hetimore.
Prokuroria e Posaçme përfundoi hetimet për koncesionin sterilizimit dhe dërgoi më 30 mars në Gjykatën e Posaçme dosjen për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ish-zëvendësin e tij Klodian Rjepaj, biznesmeni që fitoi tenderin, Ilir Rrapaj, si edhe 6 të pandehurit e tjerë.
Sipas hetimeve të SPAK, ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Dhënies së Koncensionit, ka kryer të gjitha veprimet e përllogaritjeve financiare dhe i ka ndryshuar disa herë me qëllim arritjen e treguesve financiarë IRR dhe NPV, në nivele të pranuara nga Ministria e Financave.
Nga hetimet ka rezultuar se numri i ndërhyrjeve kirurgjikale është raportuar i rremë në dokumente që janë paraqitur Ministrisë së Financave, njofton Prokuroria e Posaçme.
Gjithashtu në këta tregues financiar Klodian Rjepaj, me qëllim uljen e normës së IRR dhe NPV, ka shtuar si zëra të kostove të shërbimit në kohëzgjatjen e koncensionit, mirëmbajtje të instrumenteve, të sistemeve dhe centralit të sterilizimit, në vlera disa herë më të larta se vlera e blerjes së tyre të reja.