Policia e Vlorës ka nisur procedim penal ndaj pronares së një dyqani veshjesh dhe ekonomistit të saj me akuzën e fshehjes së të ardhurave të mallrave të futur kontrabandë.

Sipas policisë, më datë 10.07.2017, gjatë kontrollit të ushtruar në subjektin tregtar në pronësi të 56-vjeçares K.V. në lagjen ”24 Maji”, u gjetën një sasi mallrash (veshmbathje) për të cilat kjo shtetase nuk dispononte faturë tatimore të blerjes së tyre.

Gjithashtu, nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetësia K.V., i paguante me para kesh në dorë shumën prej 5000 lekë të rinj në muaj shtetasit A.M. 52 vjeç (ekonomist) me qëllim që ky i fundit të mbyllte veprimet e tjera në organet tatimore.

Kjo lloj pagese është kryer për rreth 4 vite me radhë në mënyrë ilegale, pa lidhur asnjë kontratë të ligjshme për kryerjen e pagesave.

Materialet u referuan në Prokurori për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”.