"Djalin ma mori në qafë mbesa. E kam nxjerrë disa herë nga shtëpia mbesën. Nuk më pëlqente çfarë bënte ajo". Fetie Grembi, nëna e Emiljano Grembit, i akuzuar për grabitjen e karburanteve në Fier së bashku me kushërirën e tij Anna Malaj, thotë se djali i saj është i pafajshëm. Ajo shton më tej se është në gjendje të vështirë ekonomike dhe i biri nuk është marrë me këto gjëra për të cilat akuzohet.
Fetija thotë se Anna është nënë e dy fëmijëve, një vajze dhe një djali, ndërsa ka jetuar dhe në Gjermani.
“Djali është i pafajshëm. Çunin ma mori në qafë kjo mua. Hallë tha dua çunin se kam frikë, jam vetëm. Nuk me pëlqente çfarë bënte ajo. Anna ka dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë dhe burrin e ka në Gjermani. Unë djalin e kisha të rregullt. Djali nuk ka asgjë, as shtëpi as pasuri, asgjë. Unë nuk kam as të paguaj. Jam në borxhe. E kam cupë vëllai atë.
E kam nxjerrë dy herë nga shtëpia se e dija çfarë do vepronte ajo. I kam thënë burrit mos ma qas më brenda. Djali im ska as armë asgjë. Armën e kishte mbesa me leje. Çunin tim e ka marrë ajo se gjoja kishte frikë. Unë isha tek nëna ime se i bëja shërbim. Unë nuk kam kokërr leku dhe se çfarë do bëhet nuk e di”, shprehet Fetie Grembi.
Gjykata e Fierit pritet të japë masën e sigurisë për 31-vjeçaren Anna Malaj dhe kushëririn e saj Emiljano Grembi, 22 vjeç. Dy të rinjtë akuzohen për grabitjen e tre karburanteve në Fier e Mallakastër. Mbi ta rëndojnë akuzat për veprat penale "Vjedhja me armë", e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë" dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak".





