8 shtator 2015 – "Nuk mund ta fal 14-vjeçarin që abuzoi me vajzën time. Prindërit e tij e kanë djalë të vetëm, por edhe unë e kam dritë të syrit time bijë. Vogëlushja ime në 10 nëntor mbush 5 vjeç. Ka ditë që nuk fle dhe ankohet për dhimbje barku". Kështu ka pohuar mes lotësh Esmeralda X., nëna e vajzës së mitur, e cila u përdhunua 4 ditë më parë nga kushëriri i saj 14-vjeçar. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, 32-vjeçarja nga zona e ish-Kënetës në Durrës rrëfen ngjarjen tragjike. Ajo u shpreh se nuk ka mundësi financiare të kurojë vajzën e mitur, pasi së bashku me burrin dhe tre fëmijët e saj jetojnë mes skamjes dhe pa një çati mbi kokë.
Zonja Esmeralda, kur ndodhi ngjarja? E njihni autorin?
Autori është një kushëri i largët i bashkëshortit, që jeton këtu në lagje. Unë sa isha kthyer nga puna dhe fëmijët dolën për të luajtur në oborr. Më vonë më vjen vajza duke qarë dhe kishte hemorragji. Ishte e terrorizuar dhe më tha se e kishte rrahur kushëriri i saj. Më vonë më tregoi gjithçka.
Po më pas, çfarë ndodhi?
Mora bashkëshortin, Vehbiun në telefon dhe i thashë të vinte në shtëpi. U vumë në dilemë të madhe, se kishim të bënim me familjen e atij djalit, dhe për momentin heshtëm.
Kur e vizituat vajzën?
Pas dy ditësh, shkova në spital. Kur e vizitoi mjekja, më tha se me vajzën është abuzuar. Më kërkoi që të bëja denoncimin, por iu luta që ajo të heshtte, pasi i druheshim konfliktit. Më pas më dha një recetë me ilaçe, të cilat nuk i bleva.
Përse nuk i bleve?
Nuk kemi lekë. Te një farmaci këtu në zonën e Kënetës kemi 300 mijë lekë borxh, që kemi marrë veresie ilaçet. Nuk kisha ku të kërkoja tjetër. Ne kemi 2.8 milionë lekë të vjetër lista me borxhe për ushqime nëpër dyqane.
Si u lajmërua policia për ngjarjen?
Mjekja pediatre e kishte lajmëruar policinë për vajzën. Policia erdhi në shtëpinë tonë dhe më pas vajza iu nënshtrua ekspertizës mjeko-ligjore, ku u vu re dhunimi.
Si është vajza juaj tani?
Trembet herë pas here. Sapo e zë gjumi, ankohet për dhimbje barku.
A ju kanë ardhur prindërit e djalit për të biseduar dhe për të kërkuar falje?
Jo, nuk janë bërë të gjallë fare, edhe pse i kemi vetëm 200 metra larg shtëpitë nga njëri-tjetri. Ata nuk donin ta merrte vesh policia fare. Ai është djalë i vetëm i dy motrave, është rrugaç e arrogant. Djali të dënohet dhe të mos dalë nga burgu.
Kur jeni shpërngulur në zonën e ish-Kënetës?
Në 2001-shin, para 14 vjetësh, nga Burreli. Erdhëm për jetë më të mirë, por këtu gjetëm shumë më keq.
Çfarë kërkoni ju si nënë për fëmijët tuaj?
Sikur një ditë të vetme të kishin jetë normale dhe të kishin ushqim për të ngrënë. Duam një strehë normale dhe punë, asgjë më shumë. Unë tani kam nisur punë në një rrobaqepësi, ndërsa burri është i papunë. Tërë jetën kemi mbledhur kanoçe, por ato nuk shiten më. Nuk kemi as drita e as ujë, se s’kemi me se t’i paguajmë. Jemi në pikë të hallit. /Gazeta Shqiptare
/portali DurresLajm/





