TIRANE- Sherif  Lata të varet në litar. Dy djemtë e tij të dënohen me burgim të përjetshëm. Djalin tim e vranë me gjakftohtësi. E paramenduan krimin, u armatosën dhe e goditën duke i marrë jetën…". Violeta Lilaj, nëna e Erjon Lilajt, të riut që u godit për vdekje në rrugën "Siri Kodra" dhjetë ditë më parë, duket se nuk do të gjejë qetësi, derisa njerëzit që i shkaktuan vdekjen të birit të marrin dënimin e merituar. 

Gruaja, së cilës nuk i ndahen lotët nga sytë, u bën thirrje autoriteteve shqiptare të vënë drejtësi për jetën e humbur të të birit. "Djali im u vra vetëm pse i preu rrugën me makinë Sherif Latës. Unë isha dëshmitare kur ndodhi zënka e parë mes tyre. Njoftova policinë dhe situata u sheshua. Mendova se gjithçka kishte mbaruar. Më vonë Sherif Lata me djemtë e tij kthehet dhe e vret. Krimi ishte i paramenduar. S'do t'ia fal kurrë. Kërkoj dënim maksimal, se m'i morën jetën djalit në moshën më të mirë. U bëj thirrje Presidentit të Republikës dhe kryeministrit të ndërhyjnë që drejtësia të vihet në vend",- thotë nëna e viktimës. Ndërkaq, prokuroria ka rindërtuar të gjithë ngjarjen e rëndë të ndodhur më 17 janar 2013. Të dyshuar për krimin e rëndë janë Sherif dhe Sebastjan Lataj. Në dosjen e prokurorisë thuhet se Erjon Lila u konfliktua me Sherif Latajn dhe pak orë më vonë, dy djemtë e tij e rrahën, e qëlluan me thikë, duke e lënë të plagosur. Teksa Lila po largohej, para i del Sherif Lataj dhe e godet me levë. Lila gjen vdekjen në spital. E gjithë ngjarja i është rrëfyer prokurorisë nga Spartak N. dhe Nardi, dy miqtë e Erjon Lilës, të cilët kanë identifikuar si autorë të krimit, Sherif dhe Sebastjan Latajn. Më poshtë po botojmë dosjen e organit të akuzës, ku hidhet dritë mbi rrethanat në të cilat gjeti vdekjen i riu Lila.

NGJARJA SIPAS PROKURORISË

Më datë 17.01.2013, rreth orës 14.30, në vendin e quajtur rruga "Siri Kodra", Sherif Lataj është konfliktuar me Erjon Lilën. Në momentin e konfliktit, Sherifi ka qenë në automjetin e tij tip "Sharan" me targa AA 619 FE së bashku me shokun e tij, Ramazan K.. Për këtë fakt janë vënë në dijeni dhe dy djemtë e Sherifit, Sebastjan dhe Besart Lataj, të cilët e kanë takuar Erjon Lilën para parukerisë së L.A.. Aty ,të dy vëllezërit kanë filluar ta rrahin dhe godasin Erjonin. Gjatë konfliktit Erjoni është goditur dhe me thikë. Ai është munduar të largohet duke ecur me vrap, por përpara i ka dalë Sherif Lata, i cili e ka goditur me levë hekuri. Erjoni ka rënë në tokë dhe nga kurrizi po i dilte shumë gjak. Spartak N., shok i viktimës, u ka thënë hetuesve se më datë 17 janar, e ka marrë në telefon nëna e viktimës, Violeta Lila, e cila i ka thënë se Erjoni është në gjendje të dehur dhe po nget makinën me shpejtësi nëpër lagje dhe kishte bërë fjalë me disa persona që udhëtonin me një makinë ngjyrë gri.

Pas pak Spartaku ka parë Erjonin që po kalonte me shpejtësi me makinën e tij dhe ndalon rreth 300 metra më tutje. Ka ikur me vrap te makina dhe ka takuar aty Erjonin dhe një shokun e tyre, Nardin. Të tre e kanë çuar makinën tek shtëpia e Erjonit dhe kanë dalë së bashku për tek lokali i Nardit. Pas 20 minutash u janë afruar dy djem të rinj, të cilët i kanë thënë se "kë ke sharë ti, do të q… robt". Të dy e kanë qëlluar Erjonin me grushta dhe shqelma derisa e kanë rrëzuar përtokë. Spartaku u ka thënë "mos e qëlloni". Erjoni është ngritur në këmbë dhe këta djem e kanë qëlluar sërish. Në një moment, njëri prej tyre e qëllon me një thikë të madhe në shpinë. Erjoni është larguar në drejtim të kompleksit "Lala" derisa dy djemtë po e ndiqnin nga pas. Në afërsi të lokalit të Gëzimit, përpara i del një burrë me levë hekuri dhe e qëllon Erjonin në kurriz. Erjoni është munduar të largohet dhe pas rreth 20 metrash ka rënë në tokë. Spartaku është afruar tek Erjoni dhe ka parë që po i dilte shumë gjak nga shpina. Ndërkohë, djemtë janë bashkuar me burrin 50- vjeçar dhe kanë hipur në një automjet tip "Golf 4" dhe janë larguar. 

PËRBALLJA 

Prokuroria ka vënë përballë miqtë e Erjonit dhe të dyshuarit për vrasjen e tij. Kështu, nga paraqitja për njohje mes Spartak N. dhe Sebastjan Latajt, rezulton se ky i fundit ka qenë bashkë me një person tjetër kur kanë goditur me grushta Erjon Lilën. Spartak N., është përballur me Sherif Latën, të cilin e ka identifikuar si personi që goditi me levë Erjon Lilën kur ky i fundit po largohej. Sebastjan dhe Sherif Lata e kanë mohuar faktin të kenë goditur Erjon Lilën. Sherifi ka pranuar se ka bërë konflikt me një person dhe i pranishëm ka qenë dhe Ramazan K.. Babë e bir kanë deklaruar se nuk kanë dijeni për ngjarjen. Në dosjen e pro-kurorisë thuhet se në shtëpinë e tyre është gjetur një thikë më mbishkrimin "ZËLLING. JA. NENCLKENS", e cila kishte njolla gjaku, një bluzë të ndotur me njolla gjaku, si dhe automjetin tip "Golf", me targa "AA 609 AE".