“Djali im i vetëm nuk ishte kriminel. Ai nuk merrej me trafik droge. Po të merrej me të tilla gjëra, nuk do të jetonim këtu, në një pallat të vjetër parafabrikat. Jam shumë e lënduar dhe e tronditur, pasi më vranë dritën e syve dhe akoma nuk e di të vërtetën e asaj që ndodhi”. Kështu është shprehur nëna e Gazmend Çollakut, 34-vjeçarit që u rrëmbye në Durrës dhe që u gjet një ditë më pas i lidhur dhe i vrarë në Murqin të Krujës, shkruan sot "Gazeta Shqiptare".
Nëna 60-vjeçare e të ndjerit duke mohuar kategorikisht se djali i saj merrej me drogë, kërkon të dijë zbardhjen e së vërtetës.
“Përse keni thënë gjithë ato të zeza për tim bir? Ai nuk ishte biznesmen dhe nuk merrej me ato që gjëra që përfliten. Shikojeni vetë, ju dukemi gjë si biznesmenë, ne që jetojmë këtu në këtë pallat të vjetër?! Përse thoni se djali im është marrë me drogë?! E pa njeri?! E shikoni se në çfarë gjendjeje jemi ne?!”
Ka kaluar një javë nga rrëmbimi dhe ekzekutimi i Çollakut dhe policia ende nuk ka rënë në gjurmët e autorëve të krimit. Dyshohet se vrasja e tij ka lidhje me atentatin e ndodhur më 20 dhjetor në Durrës, ku u ekzekutuan dy të rinjtë Ervin Kodra dhe Endri Çaushaj, dy miqtë e vjetër të Çollakut, me të cilët i kishte prishur marrëdhëniet muajt e fundit.





