26gusht 2015 – Nëna e Parashqevi Simakut, e cila jeton në qytetin e Durrësit, thotë se Gjergj Leka, i cili ka folur keq për të bijën, është një person i papërgjegjshëm. Zoica nuk do të kishte dashur të fliste për Parashqevinë në kushte të tilla, por është nënë dhe i shtrydhet shpirti tek dëgjon se si i përgojohet emri i së bijës. Asaj i vjen keq që është pikërisht Gjergj Leka që i ka artikuluar ato fjalë dhe, sipas saj, ai është një i papërgjegjshëm që do të vihet në qendër të vëmendjes, duke përgojuar kolegët.

“Nuk është aspak e vërtetë se Parashqevia ishte e privilegjuar për shkak të paraqitjes së saj fizike, por prej vokalit dhe talentit të madh që ajo kishte”, thotë Zoica Simaku, në një intervistë për “Panoramën”. Sa i takon të bijës, ajo thotë se Parashqevia gëzon shëndet të mirë dhe nuk është e vërtetë se është e sëmurë, madje ka zhvilluar edhe disa koncerte në Amerikë.

“Jam shokuar nga çfarë ai thotë për karrierën disavjeçare të vajzës sime, ashtu sikurse për jetën e saj personale. Të merresh me deklarata të tilla, nuk është gjë tjetër veçse humbje kohe, por si nënë jam prekur thellë nga ajo çfarë z. Leka ka thënë për Parashqevinë.

Të jeni të sigurt se Parashqevi Simaku ka pasur dhe vazhdon të ketë një talent të jashtëzakonshëm në të kënduar. Nuk është aspak e vërtetë se Parashqevia ishte e privilegjuar për shkak të paraqitjes së saj fizike, por prej vokalit dhe talentit të madh që ajo kishte. Jetën e saj artistike Parashqevia e ka ndërtuar falë punës, pasionit dhe talentit që ajo zotëronte. Artist më të mëdhenj se Gjergj Leka e kanë vlerësuar Parashqevinë ndër vite dhe vlerësimi me disa çmime të para i është dhënë në bazë të meritës e performancës dhe jo për bukurinë”, thotë nëna e këngëtares së njohur të para viteve ’90.

Gjergj Leka, në një intervistë i akuzoi këngëtaret e bukura të asaj kohe, Parashqevi Simaku apo Lindita Theodhori se kishin arritur suksesin në forma të tjera, jo për talent, ai dje kërkoi falje publike, duke thënë se nuk kishte përmendur emra konkretë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/