DURRËS, 19 tetor 2014– Në gjak jam shqiptare, indiane në kombësi. Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Thirrja ime i përket botës. Zemra ime i përket totalisht Zemrës së Jezusit.
Gruaja me trup të vogël dhe shpirt të madh i la botës trashëgimi mesazhin për paqe e dashuri. Ajo ishte nëna e mëshirës, e shpresës, kishte lindur për të ndihmuar më të varfërit e varfërve; e konsideronte veten një laps në duart e Zotit. E lindur në Shkup, në zemër të historisë së Ballkanit Anjezë Gonxhe Bojaxhi, mësimet e para i mori në një shkollë shqipe në qytetin e lindjes, ku po ashtu e kreu dhe gjimnazin, por në gjuhën serbo-kroate. Pasionet e rinisë së Gonxhes ishin tre: të bëhej mësuese, të shkruante dhe recitonte poezi dhe të kompozonte e të luante muzikë. Emrin "Tereza" e mori kur ishte 18 vjeçe dhe u dorëzua murgeshë.
E kush do ta mendonte se kishte lindur për të qenë misionarja më e njohur në të gjithë botën. Nënë Tereza u bë një nga urat ndërlidhëse të njohjes së shqiptarëve në botë. Bill Clinton është shprehur në qershor 2002: “Nënë Tereza, ishte e para Ajo qe më bëri ta dua kombin shqiptar. Dhe tani ndihem shumë krenar që përmbusha një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë”. Por origjina shqiptare nuk duhet absolutizuar. Duke qenë shqiptare Nënë Tereza nuk i përket vetëm Shqipërisë, guacka etnike do ta kufizonte. Gonxhja u bë qytetarja e botes, e popujve, feve dhe e qytetërimeve.Shqiptarja trupvogël ishte kthyer në një legjende të gjallë.
Kur veprat dhe inisiativat e saj u përqafuan nga bota perëndimore , në vitin 1979 iu akordua Çmimi Nobel për paqe. Në më pak se dy vjet pas vdekjes së saj, Papa Gjon Pali II për shkak të famës së saj të madhe në të gjithë rruzullin lejoi hapjen e Çështjes së Shenjtërisë. Në 20 dhjetor të vitit 2002 aprovoi dekretet mbi virtytet dhe veprat e saj të shenjtërisë duke e shpallur kështu më 19 tetor 2003 – Shenjtore.
(një poezi e saj)
Gjej kohë…
Gjej kohë të mendosh
Gjej kohë të lutesh
Gjej kohë të qeshesh
Është burimi i fuqisë
Është fuqia më e madhe mbi tokë
Është muzika e shpirtit.
Gjej kohë për të luajtur
Gjej kohë të duash dhe të duhesh
Gjej kohë të japësh
Është sekreti i rinisë së përjetshme
Është privilegj i dhënë prej Zotit
Dita është shumë e shkurtër për të qenë egoistë.
Gjej kohë të lexosh
Gjej kohë të jesh mik
Gjej kohë të punosh
Është burim mençurie
Është rruga e lumturisë
Është çmimi i suksesit.
Gjej kohë të bësh mirësi
Ështe çelësi i parajsës.
/g.b. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/