Rasti i abuzimit me 23-vjeçaren Desara Çoniku, të cilin e denoncuan disa ditë më parë familjarët e saj, nuk ka qenë tragjedia e parë në këtë familje. Nëna e saj Nevruze Çoniku ka rrëfyer për emisionin “Me zemër të hapur” të shkuarën e dhimbshme të djalit dhe të vajzës së saj. Ajo ka treguar se një tjetër abuzim ka ndodhur 6 vite më parë me djalin e tyre, rast të cilin ajo e ka denoncuar, duke treguar se autori ka vuajtur dënimin për 5 vite burg.
“Shisja kokoshka në lagje, dhe vajza erdhi me mua, ndërsa djali qëndroi në shtëpi. Në atë kohë e kisha normal djalin, ndërsa në moshën 14 vjeç u paralizua. Vajzës i ra një barrë e madhe e ka pikë të dobët vëllanë. Dhe detyrohej të punonte për të na ndihmuar ne. Por kur djali na tregoi ngjarjen, unë e kontrollova dhe e pashë me shenja dhune e njolla gjaku. Shkuam në polici, denoncuam, u bë gjyqi, ka bërë 5 vite burg personi. Por unë atë person e kam aty, dhe shoh përditë, dhe nuk di ta shpjegoj si ndihem, pasi m’i uli kokën edhe vajzës”, tha Nevruze Çoniku.
Por për denoncimin e bërë disa ditë më parë, Nevruzja thotë se nuk e di çfarë ka ndodhur me vajzën e saj, e cila ka përfunduar në Psikiatri. Ndërsa kërkon të zbardhjet ngjarja dhe të vendoset drejtësi, rrëfen sesi kanë rrjedhur zhvillimet.
“Vajza qëndronte 24 orë në familjen e djalit me aftësi të kufizuara për të cilin kujdesej. Prindërit e fëmijës ishin të divorcuar, nëna jetonte në Itali, ndërsa i ati shkonte e vinte në Shqipëri. Duke qenë se vajza ime dinte italisht ata e punësuan, dhe ata u bënë si shokë. Vajza thoshte se ishte e qetë aty. Më 20 gusht, Desara mori një paralajmërim për t’u larguar nga puna. U kthye nëna e fëmijës së paralizuar, dhe do kujdesej ajo për fëmijën. Duke qenë se për tre muajt e fundit nuk ishte paguar për lekët e veta, nuk ndihej e qetë. Nëna e djalit nuk ishte në dijeni se për fëmijën me aftësi të kufizuara kujdesej një vajzë. Që atë ditë vajza u pushua në puna. Në 7 të mëngjesit e mori babai i fëmijës në telefon, vajza doli, dhe nuk di më çfarë ndodhi. I ka thënë shpirt, zemër, tre herë mos, mos. Dhe mori taksi u nis direkt zbathur. Ajo ishte shumë e shqetësuar për këtë fëmijë”, tha nëna.
“Në një semafor ku ka ndaluar makina, ajo ka hapur derën e makinës dhe ka ikur. Shoferi nuk ka ditur më se ku shkoi vajza. Pas kësaj unë në orën 1 të drekës pati shkuar te shtëpia e personit. Vajza aty me doli me peshqir e në gjendje të rënduar. E mora me vete, dhe ajo qante. Kur erdhi në shtëpi i tha të vëllait, shërohu të më dalësh për zot mua. E mori djalin në krahë dhe e lëshoi në tokë. Aty bëra denoncimin në polici”, vijoi ajo rrëfimin.
Sipas ekspertëve mjeko-ligjorë, vajza nuk është dhunuar dhe as përdhunuar. Kartela mjekësore e saj është në spitalin e Elbasanit.
Gazetarja Klodiana Haxhiaj tha se në lidhje me ngjarjen, policia ka marrë në pyetje edhe dy shoqet e 23-vjeçares, të cilat mund të hedhin më shumë dritë mbi ngjarjen. /BalkanWeb





