DIBER – "Xhemilja torturohej nga vjehrra, si dhe rrihej barbarisht nga bashkëshorti i saj, Mond Skuka, i cili pjesën më të madhe rrinte në Greqi. Vajza ime qëndroi në shtëpinë e familjes Skuka vetëm për shkak të fëmijëve të saj të mitur". Kështu u shpreh dje, nëna e 30-vjeçares Skuka, e cila mbrëmjen e së martës që shkoi, bashkë me kunatën e saj, i hodhën vaj të nxehtë në vesh 67-vjeçares Naime Skuka, dhe më pas e groposën në ahurin e bagëtive. 

Të afërmit e Xhemiles pohuan se ajo dhunohej sistematikisht nga vjehrra dhe burri. "Nuk mbaj mend njëherë që ime bijë Xhemilja të vinte e qeshur në shtëpinë tonë. Atë e rrihte burri, sa herë që ai kthehej nga Greqia. 

Ndërkohë që, e vjehrra e shante me fjalë të rënda dhe hidhte një mal akuza ndaj saj. Qëndrimi në banesën e familjes Skuka ishte një ferr për vajzën time. Ajo një ditë do të detyrohej që ta braktiste të shoqin që e torturonte, qëndroi në shtëpinë e tij vetëm për hatër të fëmijëve që i ka të mitur", – tha nëna e 30-vjeçares. 

Xhemile Skuka dhe kunata e saj, Hike Skuka, 23 vjeç, akuzohen se në bashkëpunim me njëra-tjetrën vranë dhe groposën vjehrrën e tyre. 

Gjykata e Dibrës ka lënë në “arrest me burg” dy nuset, të cilat vranë vjehrrën e tyre, duke i hedhur vaj të nxehtë në vesh.

Gjatë komunikimit nga togat e zeza të masës së sigurisë, nuset kanë pranuar krimin, ndërsa kanë deklaruar se e kanë kryer vrasjen pasi 67-vjecarja Naime Skuka i kërcënonte dhe i torturonte vazhdimisht.

Vëllai i Xhemiles rrëfen jetën e së motrës

Xhemile Leshi është fejuar vetëm 13 vjeçe. Në ditën e tretë të vdekjes së babait të saj, Naime Skuka ka shkuar për ngushëllim në familjen Leshi, por njëkohësisht u ka treguar një amanet. Sipas saj, i ndjeri Hasan Leshi, para se të ndërronte jetë në spitalin e Peshkopisë ku kishin qenë të shtruar të dy për kurim, i kish premtuar Naimes të bijën si nuse për djalin, Edmondin. I biri sapo ishte ndarë nga një tjetër grua, por ishte gati për të dytën. Askush nuk mundi dot të vërtetonte të kundërtën e “amanetit” dhe as nuk e kundërshtuan. Xhemilja u premtua nuse për mort…  Kjo histori zë fill në vitin 2003, atëherë kur fëmijët jetimë të Hasan Leshit ishin të gjithë të vegjël për të vendosur për fatin e motrës së tyre, Xhemiles, ashtu si edhe vetë 13-vjeçarja. Sot, kur Xhemilja është 25 vjeçe dhe ndodhet pas hekurave në bashkëakuzë me kunatën e saj, Hiken, për vrasjen e vjehrrës së tyre dhe fshehjen e krimit, vëllezërit Leshi ndihen keq. Vëllai i saj, Andi Lleshi në emër të anëtarëve të tjerë të shtëpisë, Andi sqaron gjithçka lidhet me motrën e tij, Xhemilen, nënë e dy vajzave 5 e 3 vjeçe, dhe e një djali 6 muajsh. 

Si e morët vesh lajmin e vrasjes së Naime Skukës, për të cilën një ndër të akuzuarat është edhe motra juaj, Xhemilja?

Nga televizori, por nuk e besonim dot. U tronditëm jashtë mase.

Naime Skuka ka qëndruar për gati 3 ditë e groposur në kasollen e bagëtive. Gjatë kësaj kohe a jeni takuar me Xhemilen?

Me Xhemilen takoheshim si familje mjaft rrallë. Ajo vinte thuajse një herë në vit. Ka ndodhur një herë që nuk ka ardhur edhe për 3 vite me radhë.

Pse ky distancim nga motra juaj?

Nuk distancohej motra ime. Nuk është se nuk donte ajo të vinte, por nuk e linin të shtëpisë së saj ku ishte martuar.

Cilët nga personat e shtëpisë nuk e linin, bashkëshorti apo vjehrra?

Me aq sa na ka thënë Xhemilja, nuk e linte vjehrra. Ajo nuk e kundërshtonte dot atë.

Pse nuk e kundërshtonte dot?

Sepse ishte shumë e egër dhe e rrihte. Edhe pse e moshuar kishte shumë fuqi dhe ia nxinte trupin nga dajaku. Nuk e linte që të shkonte asgjëkundi, përfshirë familjen tonë. Me asnjeri nuk e linte të takohej e të çmallej nga ne të afërmit, madje i hoqi edhe telefonin. Pati ca kohë celular, por ia mori vjehrra. Dhe nëse doje të flisje me Xhemilen, duhet t’i thoshe Naimes. Por edhe po t’i thoshe, nuk ta nxirrte. Ju thashë, ka ndodhur që të rrijë edhe 3 vjet pa na ardhur në shtëpi.

Kur ka qenë hera e fundit që ka qenë në shtëpinë tuaj?

Pas një viti mungesë, erdhi në muajin dhjetor. Ka ndenjur një natë për darkë dhe të nesërmen iku. Ja, pyet këta të shtëpisë sa u lumturuam. Nuk po çmalleshim dot. Nga gëzimi, pastaj ia kthyem edhe ne vizitën pas Vitit të Ri te shtëpia ku jetonte me vjehrrën, atje në Hotesh.

Megjithatë, gjatë atyre takimeve apo telefonatave të pakta, a ju është ankuar ndonjëherë Xhemilja për vjehrrën?

Gjithnjë, por çfarë të bënte. Pas martese, deshi që të ndahej nga burri dhe erdhi e ndenji ca këtu në fshat, në Kandër. Unë nuk e di se çfarë ndodhi dhe u bisedua mes të rriturve se isha i vogël dhe nuk më linte njeri, por më pas motra u kthye sërish në Hotesh, te burri dhe vjehrra. Kanë jetuar gjithnjë në të njëjtën shtëpi, por vjehrra çdo gjë ia mbante me çelës. Edhe bukë nuk mund të hante dot pa leje, se e mbante të mbyllur.