Një rast i rëndë dhune brenda familjes është bërë publik mbrëmjen e së hënës nga emisioni investigativ “Fiks Fare”. Marije Gjoka, një nënë nga zona e Kamzës, rrëfeu mes lotësh përjetimet e saj dramatike, duke kërkuar ndihmën e shtetit për mjekimin e detyrueshëm të vajzës së saj 35-vjeçare, e cila vuan nga skizofrenia dhe çrregullime bipolare.
Sipas rrëfimit të saj, vajza është shumë e dhunshme dhe ka sjellje të pakontrollueshme, duke e rrezikuar jetën e saj dhe të nipit 15-vjeçar. “Pak ditë më parë u zgjua natën dhe tentoi të më mbyste teksa flija”, tregon Marija. Ajo shton se vite më parë e kishte denoncuar vajzën për dhunë, dhe kjo e fundit kishte kryer katër vite burg, por pas daljes, situata është përkeqësuar.
Shkak i përshkallëzimit të dhunës është mosmarrja e rregullt e medikamenteve. “Ajo nuk pranon t’i pijë ilaçet dhe ne kemi frikë t’ia japim me zor”, shprehet e dëshpëruar nëna.
Familja jeton në kushte të vështira ekonomike dhe sociale, ndërsa vajza largohet shpesh nga banesa pa asnjë lajm, duke detyruar familjen ta raportojë në polici për ta gjetur.
Pavarësisht përpjekjeve për të gjetur zgjidhje përmes institucioneve, nëna tregon se kërkesat e saj kanë mbetur pa përgjigje. Edhe gjatë vizitës në Komisariatin nr. 5 në Kamëz, ku gazetarja e Fiks Fare shoqëroi zonjën për të ndjekur rastin, nuk u pritën siç duhet dhe në një moment të tensionuar Marija humbi ndjenjat.
Falë ndërhyrjes së policisë dhe mbërritjes së ambulancës, ajo mori ndihmën e parë mjekësore. Disa ditë më vonë, Shefi i Krimeve në Komisariatin e Kamzës, Sokol Llanaj, konfirmoi për Fiks Fare se të gjitha denoncimet e zonjës janë protokolluar dhe janë dërguar në Prokurorinë e Tiranës.
Aktualisht, Prokuroria po shqyrton mundësinë e marrjes së një vendimi për mjekim të detyruar për vajzën 35-vjeçare, duke u përpjekur t’i japë fund një situate që rrezikon sigurinë dhe jetën e një nëne të dëshpëruar.