Në 9 vjetorin e tragjedisë së Gërdecit, ministrja e mbrojtjes Mimi Kodheli dhe ish-ministri i brendshëm Saimir Tahiri, kanë kujtuar 26 viktimat.
Tahiri kërkoi ndjesë personale ndaj familjarëve të viktimave, pasi nuk bënë gjë ndaj shkaktarëve të ngjarjes së rëndë të Gërdecit.
Ndërkohë, Kodheli shkroi në Facebook-un e saj, se qeveria kujton për të mos harruar, duke shtuar se përgjegjës është një biznes kriminel ende pa autorë të dënuar.
Por edhe ky përvjetor, familjarët e viktimave i ka gjetur njësoj, pa të dashurit e tyre dhe pa fajtorë të dënuar. E kontaktuar nga dritare.net, Zamira Durda, e cila humbi djalin 8-vjeçar nga shpërthimi, thotë se Erisoni ka lënë një dhimbje të pashoqe te ajo.
Nëna e djalit të vogël, e cila ka ndjekur çdo seancë gjyqësore e është kthyer në portretin e njeriut që kërkon drejtësinë për Gërdecin. Ajo thotë se këtë përvjetor nuk i ka kontaktuar askush për t’i ngushëlluar.
“Unë nuk e dija që Ministrja Kodheli, ka reaguar sot për 9 vjetorin. Pasi, jo të gjitha familjet kanë facebook që ta lexojnë. Dhe për ish-ministrin, nuk e di se kujt i ka kërkuar falje, pasi ne nuk na ka kontaktuar asnjë, e ne nuk dinim gjë.”- thote Zamira.
Sot, Zamira dhe familjarët e tjerë të viktimave të Gërdecit, iu drejtuan kraterit, për t’i përkujtuar të vdekurit e tyre.
“Unë i kam kërkuar ndihmë ministres së mbrojtjes, Kodheli që zona e kraterit e cila ka qenë e rrethuar, po bëhej gati t’i jepej pushtetit vendor. Dhe ajo na ndihmoi në këtë pjesë, na kanë dhënë një vend, kanë vendosur lapidar.
Por ne duam që fajtorët të paguajnë. Unë si banore, njoh ministrinë, nuk i njoh firmat private me të cilat lidhen kontrata. Qeveria këtë gjë duhet të bëjë, paralelisht me ne, të hedhë në gjyq firmën e cila është përgjegjëse. Kjo është beteja, por askush nuk po lufton.
Tani jam e lodhur dhe e pashpresë, atëherë mendoja se do merrja mbështetje nga qeveria, por tani jam e vrarë nga të gjitha anët.
Kam më shumë se 1 vit, që i jam drejtuar Gjykatës së Strasburgut, por ende nuk kemi marrë një vendim. Nuk e di ku qëndron problemi, nëse ndërhyn dikush nga jashtë. Dhe në këtë Gjykatë po më shuhen shpresat, pasi marsi 2018 vjen shpejt dhe pas 10 vitesh çështja penale mbyllet.”
Zamira e di ku janë fajtorët, por pamundesia për të bërë diçka kundër tyre, po e vret përditë.
“Me vranë djalin ata që janë mbledhur në çadër. Me atë çadrën ata mbrojnë vetëm veten e tyre. Është një fasadë shumë e turpshme çadra e lirisë. Kush do e tregojë moralin aty, Berisha apo Mediu?!”/Dritare.net